Zjarr në një depo në Prishtinë, Gashi: Në rrezik kanë qenë edhe objektet përreth

Një depo është përfshirë nga zjarri sot rreth orës 14:11 në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori i zjarrfikësve, Malë Gashi.
Ai tha se zjarri është shuar, ndërkaq një zjarrfikës ka kërkuar ndihmë mjekësore.
"Një depo është përfshirë nga zjarri i cili ka ngjyra, goma, llaqe. Aktualisht e kemi fikë zjarrin. Kanë reaguar edhe punëtorët e ndërmarrjes, dhe me të vërtetë kanë mundur të përfshihet edhe ndonjë objekt përreth...Një zjarrfikës ka marr oksigjen nga ekipet mjekësore emergjente", ka thënë Gashi.
Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana për Telegrafin ka thënë se rreth orës 14:00, është raportuar për një zjarr aktiv në një depo në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.
Sipas tij, policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët janë duke lokalizuar zjarrin.
“Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Pllana. /Telegrafi/






















































