Zidane do të kthehet së shpejti në bankinë, gazetari francez: Mbaroi, është vendosur gjithçka
Spekulimet për rikthimin e Zinedine Zidane në stolin e trajnerit po intensifikohen gjithnjë e më shumë. Edhe pse emri i tij nuk u përmend shpesh gjatë merkatos së verës, duket se legjenda franceze ka një plan të qartë në mendje: të marrë drejtimin e kombëtares së Francës, raporton Defensa Central.
Vetë Zidane e ka konfirmuar në një deklaratë të fundit se drejtimi i “Trikolorëve” është objektivi i tij madhor: “Ka një trajner aktualisht në krye, një ekip që duhet respektuar, dhe kjo është ajo që bëjmë. Gjithmonë kam respektuar futbollin dhe njerëzit, prandaj ky nuk është momenti i duhur. Por, kur të vijë koha, do të jetë një kënaqësi e madhe për mua nëse më jepet mundësia. E kam lënë karrierën në pritje, por ndjehem plotësisht si trajner,” u shpreh Zidane.
Nga ana tjetër, trajneri aktual i Francës, Didier Deschamps, i cili pritet të largohet pas Kupës së Botës 2026, nuk i mbylli dyert mundësisë që Zidane ta pasojë.
“Kemi kaluar shumë vite bashkë dhe vazhdojmë ta respektojmë njëri-tjetrin. Nuk jemi miq të ngushtë, por gjithmonë do të ketë respekt mes nesh. Ai është një kandidat shumë i mirë, natyrshëm i tillë dhe, do të shtoja, i pritshëm”, kishte thënë Deschamps.
Spekulimet u ndezën edhe më shumë pas komenteve të gazetarit francez, Gilbert Brisbois, prezantues i emisionit “After Foot” në RMC. Ai tha prerë: “Deschamps largohet në vitin 2026. Pas një viti, do ta kemi Zidane-n! Është bërë, është vendosur”.
Në fund të majit, Zidane refuzoi një ofertë marramendëse nga Arabia Saudite – një kontratë njëvjeçare me vlerë deri në 100 milionë euro – duke konfirmuar se po pret stolin e Francës.
“Ndihem i kualifikuar për ekipin kombëtar francez. Kam luajtur atje për më shumë se një dekadë dhe, sigurisht, është një ëndërr për mua. Mezi pres”, deklaroi ai.
Zidane ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme si trajner i Real Madridit, ku fitoi 11 trofe – përfshirë tre tituj radhazi të Ligës së Kampionëve në periudhën 2016–2018 – duke u bërë një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë moderne të klubit. /Telegrafi/





























