Ceremonia formale e dorëzimit të letrave kredenciale u zhvillua në Pallatin Presidencial në Sofje, me ç’rast nën intonimin e himneve shtetërore të vendit pranues dhe të Republikës së Kosovës u bë parakalimi ceremonial pranë gardës së nderit, e më pastaj edhe dorëzimi i letrave kredenciale.

Ceremonia përfundoi me vendosjen e kurorës së luleve pranë varrit të ushtarit të panjohur. Ceremonia e organizuar me këtë rast ishte solemne, duke përfshirë respektin e veçantë, që u bëhet Ambasadorëve dhe shteteve që ata përfaqësojnë.


Pas pranimit te letrave kredenciale presidenti Georgi Parvanov, shprehu kënaqësinë e tij për pritjen dhe akreditimin e ambasadorit të parë të Republikës së Kosovës në Sofje, duke theksuar se vendosja e Misionit diplomatik të Kosovës do të kontribuojë në fuqizimin e marrëdhënieve të mira në mes dy vendeve.

Gjithashtu, ai premtoi mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Bullgarisë për Kosovën, veçanërisht për proceset integruese në të cilat po hyn Kosova.

Ambasadorja Zherka-Hoxha i përcolli presidentit Parvanov përshëndetjet dhe mirënjohjen e veçantë të presidentit i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiut, kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit, Qeverisë dhe popullit të Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme të Republikës së Bullgarisë dhënë Kosovës në momentet më vendimtare historike.

Po ashtu, Zherka-Hoxha shprehu konsideratën e saj edhe për marrëdhëniet e mira bilaterale në mes të dy vendeve, si dhe dëshirën dhe gatishmërinë që këto marrëdhënie të fuqizohen edhe më tej.

Më tej, ambasadorja e informoi presidentin për zhvillimet më të reja në Kosovë, arritjet e vendit tonë në të gjitha sferat, me theks të veçantë në progresin e arritur në ndërtimin e institucioneve demokratike, angazhimin dhe gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të garantuar një sistem unik dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe kornizën ligjore, e cila garanton të drejtat e komuniteteve pakicë, në të gjitha shtyllat e pushtetit, si dhe sferat e jetës në përgjithësi. /Telegrafi/