LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet në Tiranë, gjashtë kandidatë garojnë për kryeqytetin

Zgjedhjet në Tiranë, gjashtë kandidatë garojnë për kryeqytetin

Pak ditë më parë nisi zyrtarisht fushata për zgjedhjet vendore të 14 majit që pritet të mbahen në të gjitha bashkitë e Shqipërisë.

Beteja kryesore pritet të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku garojnë gjashtë kandidatë për vendin e kryebashkiakut.


Partia Socialiste ka vendosur t’i besojë edhe njëherë kryebashkiakut aktual Erion Veliajt, ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë” (Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta dhe grupimi i ish-kryeministrit Sali Berisha) i ka vënë përballë Belind Këlliçin.

Ndërkohë Partia Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka prezantuar kandidatin Roland Bejko për të drejtuar Tiranën.

Kandidatët e tjerë janë Arlind Qori nga “Lëvizja Bashkë”, Marko Dajti nga Fronti i Majtë dhe Lajla Përnaska nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU).

Nis zyrtarisht fushata zgjedhore në Shqipëri, votohet për 61 bashki, përballjet kryesore midis PS-së dhe koalicionit Meta-Berisha
Lexo po ashtu Nis zyrtarisht fushata zgjedhore në Shqipëri, votohet për 61 bashki, përballjet kryesore midis PS-së dhe koalicionit Meta-Berisha

Por cilët janë kandidatët që garojnë për Tiranën:

– Arlind Qori

Qori është aktivist i Lëvizjes Bashkë dhe prej dhjetorit të vitit 2022 është zgjedhur kryetar i saj. Përveç angazhimit shumëvjeçar si aktivist i kauzave punëtore, studentore e qytetare, ai është edhe pedagog i departamentit të shkencës politike në Fakultetin e Shkencave Sociale.

Arlind Qori është diplomuar si studiues i shkencës politike në vitin 2004 në Univestitetin e Tiranës. Në vitin 2009 ka kryer studimet master në departamentin e sociologjisë e filozofisë, duke mbrojtur disertacionin “Filozofia postmoderne dhe të drejtat e njeriut”.

Studimet e doktoratës i ka përfunduar në vitin 2015 me tezën: “Ideja e Evropës dhe ideologjia shqiptare: Studim i rolit të idesë së Evropës në ideologjizimin e ligjërimit politik shqiptar të pasvitit 1991”. Prej atij viti mban titullin doktor i shkencave.

– Marko Dajti

Dajti është kandidati dhe kryetari i Partisë Fronti i Majtë, e konsideruar si parti me pikëpamje komuniste. Jo shumë i njohur për publikun e gjerë, Dajti është mbrojtës i tezave të komunizmit dhe konsiderohet si Sekretari i Parë i Komitetit Qendor të Partisë së Punës të riorganizuar.

– Lajla Përnaska

Përnaska kandidon nën logon e PDIU-së. Me një profil profesional si specialiste me nivel të gjerë njohurish dhe eksperiencë në ligjvënie, politikë bërje, programet në fushën e shëndetit publik, barazisë gjinore dhe çështjet sociale. Specialiste e perspektivës gjinore në politikat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Ajo ka gjithashtu njohuri në fushën e lidershipit politik dhe përvojë në bashkëpunimin me Organizma Ndërkombëtare si UNICEF, PNUD, Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian, USAID, Banka Botërore, OBSH.

Përnaska është zgjedhur deputete në Kuvendin e Shqipërisë në dy legjislatura (2005-2013). Ajo është zgjedhur gjithashtu në nivele drejtuese të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe ka njohuri të zgjeruara dhe eksperiencë të pasur në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Aktualisht ajo është e angazhuar në fushën publike si aktiviste e kontribuese e shoqërisë civile, si dhe në jetën politike në vend.

– Erion Veliaj

Veliaj është aktualisht kryetar i Bashkisë së Tiranës i cili kandidon për një mandat të tretë në zgjedhjet e 14 majit. Ai kandidon nën logon e Partisë Socialiste.

Pas përfundimit të shkollës së mesme në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, Veliaj ndoqi studimet e larta në SHBA, ku është diplomuar për “Shkenca Politike” në Grand Valley State University, Michigan. Më pas, ai përfundoi studimet Master në Mbretërinë e Bashkuar pranë University of Sussex, me fokus tek Integrimi Europian. Përpara se të kthehej në Shqipëri në vitin 2003, Erion Veliaj ka punuar në Amerikën e Veriut e të Jugut, Afrikën Lindore dhe në Kosovë.

Në vitin 2003, Veliaj themeloi lëvizjen MJAFT, një organizatë që unifikoi frymën aktiviste e protestuese të rinisë shqiptare, e që në vitin 2004 mori edhe çmimin e Kombeve të Bashkuara për shoqërinë civile. Veliaj drejtoi lëvizjen MJAFT deri në Nëntor të vitit 2007. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 ai ishte kandidat për Kuvendin e Shqipërisë përmes listës civile G99.

Në vitin 2011 Veliaj iu bashkua kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, Veliaj ishte kandidat i PS-së në qarkun e Gjirokastrës, nga ku u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në shtator të vitit 2013, Veliaj u emërua Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ai u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2015.

– Belind Këlliçi

Këlliçi është kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Ai u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për qarkun Tiranë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021 dhe ka mbajtur detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që prej dhjetorit të 2015-ës.

Këlliçi ka studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vitin 2009 është kthyer në Shqipëri. Në 27 tetor 2022, Belind Këlliçi shpalli zyrtarisht kandidaturën për kryetar të Bashkisë Tiranë dhe la mandatin e tij të deputetit.

– Roland Bejko 

Bejko është kandidati i PD-së për Tiranën. Ai ka studiuar në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër për gjuhë dhe letërsi. Si shumë studentë të tjerë të viteve 1990 u bë aktivist në Lëvizjen Studentore të asaj kohe dhe hyri në listën e themeluesve të PD-së.

Si shumë shqiptarë të asaj kohe, edhe Bejko shkoi në emigracion për t’i shpëtuar bilancit katastrofik dhe izolimit dështak të diktaturës komuniste.

Pas një periudhe në emigrim, Bejko u kthye në Shqipëri dhe u zgjodh në krye të Forumit Rinor të PD-së në Gjirokastër, dhe më pas mori udhëheqjen e degës së Partisë duke qenë njëherësh dhe anëtar i Kryesisë Qëndrore të PD deri në 2005.

Ai ka kryer gjithashtu një master për filozofi në Paris. Lidhjet e tij me Francën u forcuan edhe më shumë me pranimin e tij në Ecole National d’Administration në Strasburg, nga ku kanë dalë funksionarët më të lartë të hierarkisë politike e administrative të shtetit francez.

Pas përfundimit të këtyre studimeve ai është doktorant në Sorbonë, Paris në fushën e të drejtës administrative. Aktualisht është profesor në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Bejko ka qenë gjithashtu edhe Prefekt i Qarkut të Beratit.

Zgjedhjet në Shqipëri

Më 14 maj 140 kandidatë garojnë për 61 bashki të vendit ku gara më e fortë pritet në qytet kryesore ndërmjet Partisë Socialiste, koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe PD-së.

Ndërkohë në listën për këshillat bashkiakë garojnë 40 parti në të gjithë vendin. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Theret me thikë një person te Liqeni i Batllavës në Orllan

Theret me thikë një person te Liqeni i Batllavës në Orllan

Kronika e Zezë
Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Kronika e Zezë
Kalo në kategori