⁠Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat janë mbajtur më 12 tetor 2025.

Lëvizja Vetëvendosje, për periudhën 09.06.2025-09.11.2025 ka shpenzuar mbi 388 mijë euro në të cilën përfshihen shpenzimet e pagave dhe kompensimet, të transportit, reklama, blerjet e mallrave, etj.


Po ashtu sipas këtij raporti për pesë muaj ka pranuar 36 mijë e 680 euro donacione.

Në raport bëhet e ditur se në mesin e 34 kontribuuesve është edhe nënkryetari i kësaj partie, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca me shumën prej 1 mijë euro.

Dy herë nga 165 euro i dha edhe ish-deputeti i legjislaturës së fundit dhe deputeti i zgjedhur, Avni Dehari, që në total bëjnë 330 euro. /Telegrafi/