Zëvendëskancelari gjerman kërkon ndalimin e partisë AfD

Më 23 gusht, zëvendëskancelari i Gjermanisë, Lars Klingbeil, kërkoi që të shqyrtohet mundësia e ndalimit të partisë së djathtë ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), bazuar në gjetjet e fundit të agjencive të inteligjencës.
"Duhet të luftojmë armiqtë e demokracisë," deklaroi ai për grupin mediatik Funke, duke shtuar se çdo vendim për ndalim duhet të mbështetet në analizën e dëshmive të shërbimeve të inteligjencës.
Klingbeil, bashkëkryetar i partisë Socialdemokrate (SPD), pjesë e koalicionit qeveritar, theksoi se shteti nuk mund të qëndrojë pasiv kur një parti që hapur sfidon rendin demokratik përpiqet ta minojë atë, raportojnë mediat.
"Demokratët kanë detyrim të shqyrtojnë seriozisht hapat ligjorë për ndalimin e AfD-së," u shpreh ai.
Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës, agjencia gjermane e inteligjencës së brendshme, e ka klasifikuar më parë AfD-në si një grupim ekstremist të djathtë – megjithëse kjo kategorizim është pezulluar përkohësisht për shkak të një ankese në Gjykatën e Apelit.
Edhe agjencitë inteligjente në nivel shtetëror kanë nxjerrë vlerësime të ngjashme për disa degë lokale të partisë, e cila aktualisht është forca më e madhe opozitare në vend.
Ndërkohë që SPD po propozon krijimin e një grupi pune për të vlerësuar nëse AfD vepron në kundërshtim me kushtetutën, blloku konservator i udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz mbetet i rezervuar, duke paralajmëruar se një proces i tillë mund të forcojë mbështetjen për partinë e djathtë.
Procedura për ndalimin e një partie politike në Gjermani mund të nisë nga njëra prej dy dhomave të Parlamentit apo nga vetë Qeveria, por vendimin përfundimtar e merr vetëm Gjykata Kushtetuese. /Telegrafi/




















































