Zelensky tregon çfarë pret nga SHBA-të nëse Rusia refuzon zgjidhjet e arritura me Uashingtonin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky beson se nëse Moska refuzon të bjerë dakord me kushtet për përfundimin e armiqësive të përpunuara pas bisedimeve me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, do të jetë koha që Donald Trump të ushtrojë presion serioz ndaj Rusisë.
Presidenti u pyet se çfarë do të ndodhte, sipas tij, nëse Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa finalizonin marrëveshje të caktuara si rezultat i negociatave, dhe Kremlini i refuzonte ato, transmeton Telegrafi.
"Nëse Putini refuzon gjithçka, do të kemi atë që kemi në aeroplan tani. Turbulenca. Po ndodh vërtet tani", bëri shaka Zelensky.
"Por nuk është aq e rëndë krahasuar me luftën, sigurisht. Dhe krahasuar me atë që do të ndodhte nëse Putini do të shkatërronte çdo mundësi dhe gatishmëri diplomatike nga ana e Ukrainës, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara", shtoi ai.
Ai vazhdoi duke thënë se në një rast të tillë, do të ishte logjike që SHBA-të të ushtronin presion të fortë ndaj Rusisë dhe të zgjeronin ndihmën për Ukrainën.
"Mendoj se Amerika do të ushtronte presion përmes sanksioneve dhe do të na siguronte më shumë armë nëse ai refuzon gjithçka. Mendoj se kjo do të ishte një kërkesë e drejtë nga ne për amerikanët. Sepse, sipas mendimit tim, logjika është kjo: nëse amerikanët janë të gatshëm t'i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie dhe të zbatojnë garanci të forta nëse Putini i shkel ato, atëherë më tregoni sinqerisht se si ndryshon kjo nga një situatë ku Putini thjesht nuk dëshiron t'i japë fund luftës", tha Zelensky.
"Unë besoj se kjo do të ishte një kërkesë e drejtë nga unë si president dhe nga disa udhëheqës evropianë, që të na japin të paktën një pjesë të këtyre garancive në mënyrë që të mund të mbrohemi kundër Putinit. Mbrojtje ajrore dhe armë me rreze të gjatë veprimi", përfundoi ai. /Telegrafi/









































