Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu drejtua sot Kuvendit të Shqipërisë drejtpërdrejtë nga Kievi, në një lidhje online.

Zelensky uroi fillimisht besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.


Gjatë fjalës së tij, Zelensky ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen që po i jep Ukrainën dhe në veçanti për strehimin e të larguarve nga lufta.

"Ky qëndrimi u juaj ndaj popullit ukrainas, ndaj fëmijëve ukrainas në kohë të vështira për ne më kujton Nënë Terezën, shenjtorja shqiptare, jeta e të cilës është kthyer në simbol të humanizmit", ka thënë Zelensky.

Ai e ka përqendruar fjalimin e tij tek mizoritë e agresionit rus në Ukrainë.

00

“Rusia i ka shndërruar të gjitha ditët tona në një rrezik vdekjeprurës. Dje si pasojë e një bombardimi raketor mbi qytetin tonë të Odesës, një djalë 14 vjeçar ka humbur jetën. E plagosur ka mbetur dhe një vajzë 17 vjeçare. Çdo ditë kemi një realitet të tillë. Çdo ditë ukrainasit humbasin fëmijë nga sulmet ruse”, u shpreh ai.

“Më shumë se 600 fëmijë kanë rënë tashëm viktima të pushtimit rus. 220 fëmijë u vranë dhe 406 u plagosën. Sot është një ceremoni lamtumire për gazetaren Vera Gyrych, e cila u vra nga një raketë ruse në shtëpinë e saj në kryeqytetin e shtetit tonë, Kiev. Raketa goditi shtëpinë e saj. Një ndërtesë e zakonshme shumë katëshe, e cila ndodhet pranë qendrës së Kievit”, tha Zelensky.

“Mariupoli është shkatërruar plotësisht. Nuk ka asnjë ndërtesë që ka ngelur,” u shpreh presidenti ukrainas, i cili tha se të tilla skena janë të pranishme në çdo qytet apo fshat të vendit.

“Të moshuarit që i kanë mbijetuar pushtimit nazist thonë se nuk kanë parë mizori të tilla asokohe,” shtoi Zelensky.

Screenshot 8

Presidenti rrëfeu se Rusia ka një mënyrë të veçantë të të luftuarit në kohë të ftohtë. Ndër të tjera ushtarët i detyrojnë ukrainasit të rrinë të shtrirë në tokë, me këpucë të mbushura me ujë.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, i bëri thirrje Shqipërisë që të kufizojë ardhjen e turistëve rusë në vendin tonë këtë verë.

“Ju kërkoj të mbyllni portet për anijet ruse, ju kërkoj të kufizoni ardhjen e turistëve. Ju nuk mund ta dini se kush mund të vijë te ju për të pushuar, mund të jetë një vrasës i Bucha-s ose xhelati i Mariupolit”, tha Zelensky.

Në Kuvend ishte i pranishëm dhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodimir Shkurov. Të gjitha tavolinat kishin të vendosur flamuj të Ukrainës, ndërsa të pranishmit ishin të prekur me fjalimin e Zelenskyt për mizoritë ruse.

Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor të cilit Volodymyr Zelensky i drejtohet me një video-mesazh. /Telegrafi/