Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë mbërritën në Kiev mëngjesin e sotëm, ku u bashkuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zhvilluan një bisedë të përbashkët telefonike me presidentin amerikan Donald Trump.

Mësohet se tema e bisedës ishte mundësia e arritjes së një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, përcjell Telegrafi.


“Të gjithë liderët patën një bisedë kuptimplotë me POTUS, të fokusuar në përpjekjet për paqe”, shkroi ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibiha në X, së bashku me një foto të pesë liderëve.

Siç raportohet, biseda zgjati rreth 20 minuta.

Sibiha tha më tej se Ukraina dhe aleatët e saj janë të gatshëm që menjëherë, duke filluar nga e hëna, të pranojnë një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar në tokë, det dhe në ajër, që zgjat të paktën 30 ditë.

Nëse Rusia bie dakord dhe sigurohet kontroll efektiv i armëpushimit, kjo, sipas Kievit, mund të hapë rrugën për negociata serioze të paqes.

Ndryshe, kjo vizitë simbolike në Kiev erdhi vetëm një ditë pasi Vladimir Putin organizoi një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq, ndërsa SHBA paralajmëroi për inteligjencën që tregonte një sulm të mundshëm ajror në Ukrainë.

“Ne, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, kemi ardhur në Kiev për të treguar solidaritet me Ukrainën kundër pushtimit brutal dhe të paligjshëm rus”, thanë liderët evropianë në një deklaratë të përbashkët. /Telegrafi/