Zbulohet shtëpia ku Ed Sheeran kaloi fëmijërinë në Irlandë: një fermë që ushqeu dashurinë për rrënjët e tij

Një shtëpi e thjeshtë fshati në County Wexford të Irlandës ka qenë vendi ku Ed Sheeran kaloi shumë nga pushimet e tij të fëmijërisë, pranë gjyshërve të tij.
E izoluar mes fushash e pemësh të vjetra, kjo fermë e shekullit të 18-të, e mbushur me kujtime familjare dhe fotografi të ruajtura me kujdes, ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e lidhjes së këngëtarit me kulturën dhe identitetin irlandez.
Sheeran, i lindur në Angli por me rrënjë të thella nga ana e babait të tij në Irlandë, është shprehur se “identifikohet kulturalisht si irlandez” – deklaratë që shkaktoi reagime të përziera online, shkruan DailyMail.
Por, familja e tij ka dalë në mbrojtje, duke konfirmuar se vizitat e rregullta në Irlandë dhe përvojat e tij atje ishin pjesë e pandashme e fëmijërisë së tij. “Ai nuk po bën sikur. Ai është rritur këtu çdo verë”, tha xhaxhai i tij Bill Sheeran.
Gjyshërit e Ed-it, Nancy dhe William, që jetuan në këtë fermë pas kthimit nga Londra në vitet e 80-ta, janë të përjetësuar edhe në këngën “Nancy Mulligan”, një homazh për dashurinë e tyre të ndaluar përtej ndarjes fetare.
Ed Sheeran, i njohur për lidhjen e tij të ngushtë me muzikën tradicionale irlandeze, e konsideron Irlandën si "shtëpinë e tij të dytë" dhe një burim të fortë frymëzimi.
Ai ka thënë: “Nuk është vendi ku ke lindur, por kultura me të cilën je rritur që formëson atë që je”. /Telegrafi/















































