“Zbulesa” në fotografitë e Edward Westonit: Objektet e zakonshme të shndërruara në skulptura!

Duke kaluar nga një lëvizje avangarde në një tjetër gjatë viteve ’20 të shekullit XX, puna e fotografit amerikan Edward Weston (1886-1958) ndihmon në rrëfimin për lindjen e modernizmit.
Nga: Mee-Lai Stone / The Guardian (titulli: ‘A revelation!’: how Edward Weston transformed bums, veg and egg slicers into sculpture – in pictures)
Përkthimi: Telegrafi.com

Ekspozita Becoming Modern [Të bëhesh modern] është një depërtim i jashtëzakonshëm në lindjen e fotografisë moderniste përmes vështrimit dhe praktikës së fotografit amerikan Edward Weston. Ajo ndjek rrugët që Westoni kaloi nga një lëvizje avangarde (piktorializmi) në tjetrën (modernizmi) në vitet ’20 të shekullit XX. E përbërë tërësisht nga koleksioni prestigjioz i Qendrës “Wilson” për Fotografinë, ekspozita gjurmon një pikë kthese vendimtare në historinë e fotografisë. Edward Weston: Becoming Modern është e hapur në MEP, në Paris të Francës, deri më 25 janar.

Kuratori Simon Baker shkruan: “‘M’ në divanin me qime të zeza kali shpreh qartë një borxh ndaj pikturës dhe kompozimit piktoriak; një nudo e rrjedhshme dhe indeferente, shtrirë me mjeshtëri mbi një divan, me një kompozim lulesh ikebana dhe një vazo me stil japonez në cepin e majtë - për balancë”.

“Pastaj kemi Tina Modotti (Nudo në studio), bërë një vit më pas, ku janë hequr të gjitha gjurmët e gjuhës vizuale piktorialiste. As divan, as pasqyrë, as kompozim me lule; as figurë e shtrirë që kujton pikturën e salloneve. Në vend të tyre, një subjekt i ngjashëm: një nudo femër që po pushon, si të thuash, nga konvencionet e studios së vizatimit nga modeli i gjallë, duke tymosur një cigare mbi një stol të vogël të rrumbullakët, përballë një sfondi të thjeshtë, por me hije të theksuara”.

Mënyra se si Westoni i qasej natyrës së qetë, si edhe fragmenteve të natyrës (gurë, bimë, rërë), zbulon një tension në punën e tij mes nocionit të artificës dhe abstraksionit të pastër të arritur përmes fokusit të afërt dhe kuadrit.

Gjatë kësaj periudhe, fotografi rafinoi stilin e tij, thjeshtoi kuadrot, eliminoi çdo artificë për t’u përqendruar te linjat, format dhe drita.

Westoni fotografoi objekte të zakonshme - guacka, perime, trupa, gurë - me rigorozitet të madh formal, duke shndërruar realitetin në motive vizuale. Ai ankohej se fotografia e tij me prerëse veze ishte bërë emblemë kaq popullore e modernizmit, ndaj dëshironte që studimet e tij mbi perimet të kuptoheshin në të njëjtën mënyrë - por, në një formë më të thellë.

Shumë nga imazhet e tij janë ekspozuar në formën e tyre origjinale, të printuara nga vetë artisti.

Westoni kontribuoi në këtë perspektivë moderne në periferi të botës së artit. Fotografia e tij u bë gjuhë, skulpturë, një vështrim.

Westoni shndërroi jo vetëm të përditshmen dhe të shpërfillurën në vepër arti (ashtu siç specat e tij u bënë skulptura), por gjithashtu shpiku një formë të abstraksionit fotografik modernist. Westoni bëri të paktën 30 negativë të ndryshëm të specave, të gjitha brenda katër ditëve, në gusht të vitit 1930. Ai shpiku mënyrën për ta mbështetur specin në një hinkë metalike, duke ia mundësuar të shmangte kartonin e bardhë apo copën e muselisë ku e kishte mbështetur më parë. Specat e tij u bënë skulptura. Ai bëri të paktën 25 printime të kësaj fotografie, e cila u bë studimi i tij më i njohur për specat.

Helen Charis Wilson e takoi Edward Westonin në Karmel në vitin 1934. Ajo filloi si modele për studimet e tij të nudove, por shpejt u bë partnerja e tij në jetë dhe në punë.

Nga fundi i viteve ‘30 dhe fillimi i viteve ’40 të shekullit XX, Westoni punonte gjithnjë e me më shumë pasion për peizazhet. Teksa ky fokus çoi gjithashtu në disa nga studimet e tij më të rëndësishme të nudove (veçanërisht nudot mbi rërë nga viti 1936), te dunat me diell të Oshanos dhe në terrenet e ashpra të Big Surit, Luginës së Vdekjes dhe Point Lobosi - për të përmbledhur me fjalët e vetë Westonit - “qielli dhe toka u bënë një”.

Westoni jetoi dhe punoi në Kaliforni, udhëtoi në Meksikë dhe u distancua nga qendrat e pushtetit dhe ndikimit. Ai nuk kërkonte efekt apo provokim, por një vështrim të saktë, një formë të zbulesës së heshtur. /Telegrafi/













































