Yllka Gashi me emocione përshkruan largimin nga Kosova: Prishtinë të dua, jo se je një qytet piktoresk apo metropol - ama je e imja

Aktorja e mirënjohur shqiptare, Yllka Gashi, ka tash e shtatë vite që është shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo dhe bashkëshorti i saj, Albiani, zgjodhën New Yorkun si destinacion të përhershëm, me synim një të ardhme më të mirë për ta dhe vajzën e tyre, Nina.
E teksa ka përfunduar pushimet e saj të verës në vendlindje, Yllka me një sërë emocionesh është rinisur sërish drejt ShBA-së.

Ajo nuk hezitoi që emocionet e saj t’i ndajë me ndjekësit në rrjetin social Facebook, në një status të gjatë të shkruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.
Mes të tjerash, aktorja e filmit “Zgjoi” kujton kohët e bukura të fëmijërisë dhe rinisë të kaluara në kryeqytet, duke theksuar se sa shumë i mungon larg vendit Prishtina e saj.
Ky është shkrimi i saj i plotë (pa ndërhyrje):Prishtinë të du! E çdo herë që marr rrugë me t’lanë e me u largu prej teje, Me shku n’shpinë tjetër - përtej Atlantikut, Ni copë e zemrës pak më thehet, E e kujtoj qysh haber s’kom pasë me e kuptu mërzinë e gurbetçarëve të familjes, Kur u përlotshin sa herë pëshëndeteshin e u nisshin për Evropë -atje ku veçse e kishin kriju jetën e re e i rritshin fmitë. Prishtinë të du, E mendja më shkon shpesh te ti, Jo që je far qyteti pitoresk ose metropol që ëndërron dikush me jetu n’ty, Ama je e jemja Edhe bash hiq s’ka si ti!!! Me krejt mangësitë që i ki, Me aq sa ofron, Me pluhnin e verës e lloqin e vjeshtës, Trafikun e stërngarkumë, Rrugët e ngushta, E krejt behanet që i ki për mu - Je e veçantë dhe e bukur! Prishtinë të du, Se në ty jetojnë e për ty kontribojnë E edhe vujnë nga mangësitë tua, ata që m’i don loçka e zemrës- familja jeme e plot miq e dashamirë. T’du, Se n’zemrën tande jam lindë e rritë, jam shkollu, eduku e kam ndërtu karrierë, Kam njoftu gjith’far njerëzish, Me disa prej tyne kam miqësi që koha veq i ka forcu e ju ka dhanë kuptim. Në ty Prishtina jeme e kam gjetë dashninë, E në ty m’ka beku Zoti me Ninën! E në ty e kam shiju të bamit teze e hallë! Prishtinë t’du, E në ty kam përjetu shumëçka të bukur Po edhe të trishtë, Se gjenerata jeme që osht rritë në t’90-tat, I ka përjetu shkollat fillore të ndame e shkollat e mesme nëpër shpia të improvizume, Largimin e dhunshëm nga puna t’prindve, Demonstratat e studentëve, E protestat e nanave të Kosovës me nga një bukë në dorë - n’mesin e tyne edhe mama jeme, Gazin lotsjellës, Milicinë e paramilitarët, ‘Racinë’ nëpër kafiqa, Slloganet “Kosova Republikë”, Besa, edhe helmimet me ujë në shkolla të mesme -plot prej kësaj gjenerate- i mbajmë n’mend. Ama, Prishtinë Unë e gjenerata jeme i kemi përjetu edhe shëtitjet nëpër korzë, E në “Gradic” Pejton, Shampitet e Elidës kur ajo ishte ndër të vetmet ambëltore n’qytet, Platon’ e “Boro Ramizit”, 1 Majin në Gërmi, “Lluna Parkun” n’Dardani, Dodonën e “Talentin…” Orët Letrare në “Fjala”, “Hanin e 2 Roberëve”, në “Koha”, Kafiqat e Kurrizit, Burekat e “Bosnes” në pushim t’gjatë t’shkollës, Mbramjet e semi-maturës te Qafa… Sendviqat e “Metros” në pauzë gjatë studimeve. Përjetime t’varfnjakut kish mujtë me thanë dikush tash, Po krejt këto imtësina E kan’pasë lezetin e vet, E janë t’papërsëritshme Se ti qaq ke pasë takat me dhanë! Në ty Prishtina jeme, Ka jetu baba jem i dashtun ma shumë se 50 vjet, t’u t’i njoftë mirë pllamtë e kilometrat E t’u kontribu në edukimin e dhjetëra gjeneratave, E prej knaqësive t’mdhaja t’fminisë, I kujtoj kohët kur m’merrte me veti te berberi në qendër e derisa ai i prente flokët, unë ulesha n’atë karrigen e naltë me kali t’argjentë. E kur ai e përfundonte qethjen, Ecshim dorë për dore e te “3 sheshirat” në njanën prej atyne kioskave te vogla m’blente Kavabona ose Herba. Çfarë lezeti!!!! Ma mirë se n’Disneyland! Prishtinë, unë të du edhe për arsye se në ty e kam përjetu luftën, e frikën deri n’palcë kur me kallasha e tenka na kan’ pëzanë prej teje në 99tën, Po mandej, çlirimit tand i jam gëzu me krejt qenjen e me autobusin e parë të “refugjatëve” jam kthy në damarët tu. Të du Prishtinë, Edhe për përjetimet e Rinisë së hershme, Me kaosin e frikshëm të pasluftës për 4 vjet studime në Fakultetin e Arteve, me kushte jo t’mira, po me entuziazëm e energji bombastike, Për rolin e parë në Teatrin Kombëtar, Punën e parë në KTV, “Familjen Moderne” në studiot e RTK-së… Krejt këto- Kujtime të bukra e t’paharrushme - Që veq ti mi ke dhuru! Në ty Prishtinë, I kemi duru reduktimet qesharake të rrymës e t’ujit me vite t’tana. Me gjeneratorë që t’i shurdhonin veshtë në krejt anët e qytetit, Me reduktime t’rrymës 4, 6, 8 e besa edhe 20:4 kanihere. E ato 4 orë kur vinte rryma, punojshin veq dritat edhe aty-ktu naj “shteker”. Ama, Prej dashnisë ndaj teje e knaqësisë që po t’përjetojmë t’lirë, gajle se kishim! Prishtinë, Ti je shtëpi e shumë njerëzve që m’i don zemra, Që më merr malli për ta kur jam larg, Njerëz, për të cilët gëzohem e çlirohem kur e di që janë mirë me shëndet e rehati, Njerëz, për të cilët shqetësohem e mërzitem, kur nij që ju ka ndodhë ndonjë e papritun. E nuk po flas veq për familjen e miqtë! Kur jom n’gjinin tand, -Edhepse me bon nervoz shumë e më dëshpron shpesh- Diqysh zemra m’pushon e shpirti sikur m’qetësohet! Për ty Prishtinë e për njerëzit tu, Me merr malli, Shpesh E shumë! M’vjen pak inati kur t’shajnë e t’kritikojnë Ata që jetojnë në ty, e pak e hiq mundohen me t’përmirësu, Ose ata që nuk t’i kan përjetu periudhat e stoicismit po kan përfitu prej teje n’emën t’lirisë e të zhvillimit, tu t’gulfatë e shfrytëzu në çdo aspekt. Ti s’ki faj Prishtina jeme e mirë, Se qytetarinë, edukatën e kulturën e përgjithshme nuk munesh me ja u msu krejtve që jetojnë n’ty. Ti nuk e prodhon bërllogun prej qiellit, po e ki kontribut prej “qytetarëve” tu. Mërzitna edhe kur i humbi debatet e s’kom argumente me t’mbrojtë! Ama çka gjithmonë kom me pasë për ty e me ty Prishtinë, osht DASHNIA e dhembshuria! Qe 7 vjet prej s’largu T’i përjetoj kënaqësitë, sukseset, dështimet, dëshprimet E shpresat. Me ni mallëngjim, që veq ata që s’jetojnë ma n’ty e kuptojnë, Po në zemër e në mendje t’kom afër përherë e kur përmallohem fort t’i kujtoj veq të mirat. Se je e jemja E s’ka edhe njo si ti! Prishtina jeme Të pafsha ma mirë, Ma të pastër, Ma të organizume, Me kerre ma pak, E gjelbërim ma shumë! Me ndërtesa ma me shije, Me pluhun minimal, Me vende atraksioni për fëmijë, pleq e gra shtatzana, Me qytetarë të vetdijshëm që prona publike duhet me u rujtë e mbrojtë se ju takon krejtve. T’pafsha që po të dojnë e po ta “dinë kimetin” ata që jetojnë në ty e që marrin vendime për ty. E ti, Më pritsh me dashamirësi e ngrohtësi si gjithmonë! Prishtina jeme- Qyteti i përhimtë, Me makiatot ma t’mira n’dyje, Me rininë ma t’bukur në rajon, Me zemërgjansinë e mikpritjen ma t’madhe që dikush mundet me e përjetu. Prishtina jeme, Ku rreh zemra e mamës teme, Donës, Lilit e Adit! Ku rriten e shkollohen Dini, Lisa, Mali, Omari, Lisi, Marini, Jora… T’pafsha t’u shkëlqy e t’u lulëzu Prishtinë se për mu e shumë t’tjerë si puna jeme, Ti mbetesh shtëpia që nuk i mbyllë dyrtë kurrë! Deri herën e ardhshme, Mirëmbetsh e FALEMNDERIT! /Telegrafi/












































