“Çdo pyetësor mbi hierarki vlerash ka brenda grackën përkatëse, prandaj para se t’i përgjigjem kërkesës suaj më duhet të saktësoj se unë nuk jam dalluar ndonjëherë për kritik apo ndonjë lexues i rregullt dhe se këto nuk janë librat që sipas meje ‘duhen’ lexuar, por librat që më pëlqejnë mua për aq sa kam lexuar dhe m’u kujtuan gjatë këtij pyetësori. Nga ana tjetër, nga aq sa kam lexuar nga shkrimtarët e sotëm, ka mjaft prej tyre që më kanë pëlqyer, por që pyetësori nuk më le shumë hapësirë për t’i përfshirë”, ka thënë shkrimtari dhe profesori Ylljet Aliçka, teksa rendiste dhjetë libra që duhen lexuar nga letërsia shqipe.
Migjeni- “Vargjet e lira”
Pararendës i letërsisë moderne shqiptare. Kam përshtypjen se realiteti shqiptar ishte i papërgatitur për të pritur letërsinë e tij. Më kanë mbetur në mendje disa vargje nga “Burgu”.
… hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj’ e eme,
dy anmiq të betuem, luftojnë dit’ e natë;
por hekr’ i fortë e mund ndërgjegjen teme
dhe në dëshprim përplasem si një qen i ngratë.
E kur nata vjen dhe xhixhillojnë hyjt
gëzohem fort, se hekrat nuk m’i kryqzojnë syt’,
por t’u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë
edhe hijën teme tu’ u zgjatë në murt….
Migjeni – “Luli i vocërr”
Tregimet e Migjenit dallohen për ndjeshmërinë e hollë ndaj realitetit të zymtë shqiptar të asaj kohe, një flamur i melankolisë, dhembjes dhe trishtimit.
Mitrush Kuteli – “Tregime të zgjedhura”
Mjeshtër i rrëfimit dhe i larmisë së gjuhës shqipe. Personalisht kam përfituar mjaft duke lexuar librat e tij, jo vetëm nga përmbajtja, por kryesisht nga pasuria dhe larmia e gjuhës shqipe. Në përmbajtje tregimet e tija janë drama të papërsëritshme të tri kohëve të etnisë shqiptare.
Ismail Kadare – “Kronikë në gur”
Pranohet që mjeshtëria fshihet te thjeshtësia. Në thjeshtësinë dhe naivitetin në dukje “Kronikë në gur” mund të quhet një testament i ngulmit të shpirtit njerëzor. Rrethuar nga magjia e femrës së bukur dhe librave fëmijë, kjo është mënyra që një fëmijë mund ti rezistojë peripecive të luftërave të të rriturve
Përmes syve të një fëmije zbulohet tmerret e luftës së Dytë Botërore dhe shija e jetës në të tilla rrethana..
Ismail Kadare – “Viti i mbrapshtë”
Një rrëfim tipik i shkrimtarit, i cili ndjek fatin e disa individëve përcaktuar nga faktorë historikë, që pretendojnë të luftojnë për Shqipërinë, por pa e gjetur dot armikun .
Ironi therëse, një rrëfim i fuqishëm mbi natyrën dhe karakterin paradoksal të shqiptarit.
Ismail Kadare – “Koncert në fund të dimrit”
Për mua një ndër librat më të fuqishëm të letërsisë antitotalitariste të Evropës së Lindjes. Një sarkazëm mbi shtypjen e pavarësisë së individit, shpirtit të tij kritik e krijues.
Romani është një model se si letërsia mund t’i rekamandojë një shoqërie, në rastin tonë shoqërisë shqiptare), jo se si duhet të jetë, por se si nuk duhet të jetë.
Fatos Kongoli – “I humburi”
Roman që na rrëfen se si një shoqëri që ka prekur fundin, ku secili abuzon nga pak me pushtetin që ka mbi ata që ka nën vete. mund të rigjejë forcën për të rilindur. Libër i zymtë ku njeriu nuk mund t’i shmanget dot fatit të tij dhe asnjë mundësi për të ardhmen, veç aftësisë për të shkatërruar tjetrin.
Njerëzit jetojnë vetëm me të sotmen.
Dilema e fortë pasi lexon këtë libër: cila na përcakton sjelljet dhe pikëpamjet tona : natyra e vetë njeriut apo natyra e regjimit që kornizon shpirtrat njerëzorë.
Bashkim Shehu – “Mozart, me vonesë”
Kam mësuar me këtë libër më shumë mbi realitetin e persekutimit se sa librat e historisë shkruar mbi këtë temë.
Në qendër të romanit nuk është thjesht fati i një individi, por i shumë syresh, të “lidhur” me njëri-tjetrin me anë të Mozartit. Nëpërmjet fokusimit në mjediset artistike dhe pushtetarë, paraqiten xhelatë dhe viktima, fajtorë dhe bashkëfajtorë, shpirtra të përçudnuar dhe shpirtra që, me dëshpërim, përpiqen të ruajnë brenda vetes një dritëz vërtetësie, në farsën e teatrit të madh të jetës nën totalitarizëm. Hija e një të kaluare që shtrihet deri në ditët tona.
Fatos Lubonja – “Ridënimi”
Dëshmi reale mbi diktaturën vdekjen, frikën dhe shpresën për jetë.
Visar Zhiti – “Ferri i çarë”
Libër befasues, si mund të shkruhet mbi realitetet e ferrit dantesk me humanizëm dhe frymë poetike.
Një rrëfim tronditës, plot me episode befasuese, me mesazhe të thella njerëzore, me emocionin e bukur që përçon arti i lartë. Dokument i gjallë që dëshmon dhunën e madhe e të gjithanshme të diktaturës dhe qëndresën ende më të madhe të atyre që i dolën përballë.
Me të drejtë na kujton se është madhështi të dish të qash, të shprehësh vetë intimitetin e shqyer në të jetuarit e drejtpërdrejtë pikërisht me ndjenja. /Mapo Letrare/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëThënie të Immanuel Kantit: Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë
Dhjetë gjërat që mund t’i mësojmë nga “Thika” e shkrimtarit Salman Rushdie
POEZI PËR DASHNORIN E LARGUAR PREJ KOHËSH
Shqipja në rrezik: Fjalori i ka 46 mijë fjalë, 500 mijë të tjera janë futur pa u studiuar
Zogu, pasi plagoset nga Beqir Valteri: Qetësi, këto ngjarje kanë ndodhur edhe më parë!
Martin Camaj, agjent i UDB-së!?
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Deputetët e shteteve që votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE
Xavi e tepron me fjalët që ia ka thënë gjyqtarit pas eliminimit të Barcelonës nga Liga e Kampionëve
“Dashuria e madhe ndaj Edit ia mori jetën, vajzat e panë të gjakosur”, flet familjarja e gruas që u vra në Pejë nga bashkëshorti
Reagon më në fund Akil Gjakova
Parashikimi i 'çmendur' i Jose Mourinhos për fundin e Ligës Premier po del i saktë
Avokati serb ironizon me presidentët serbë, tregon ku ikën ata kur Kosova shpalli pavarësinë dhe sot kur u votua për anëtarësim në KiE