Isaac Hempstead Wright, aktori i njohur për rolin e Bran Stark në serialin hit të HBO-së “Game of Thrones”, ka kurorëzuar dashurinë e tij në një ceremoni private në Londër, duke ndarë lajmin e bukur me ndjekësit në rrjete sociale.

Aktori 26-vjeçar publikoi disa fotografi të ëmbla nga dita e madhe, ku shihet përkrah partneres së tij, të cilën e përmendi me inicialin “M”.


“Personi më i mirë që kam takuar ndonjëherë, dita më e mirë e jetës sime. Miqtë dhe familja më e mirë që mund të kërkojmë ndonjëherë. Çfarë dite, çfarë jete – të dua, M”, shkroi ai në përshkrim, shkruan DailyMail.

Pas ceremonisë, çifti u pa duke dalë nga vendi i dasmës nën konfetin e miqve, përpara se të hipnin në një autobus të kuq londinez, simbolik për qytetin, për të vijuar festën me darkë e vallëzim.

Ndër të parët që e uruan ishin edhe koleget e tij nga “Game of Thrones”, Sophie Turner (Sansa Stark), e cila i komentoi: “Urime Isaac!”, dhe John Bradley (Samwell Tarly), që shtoi: “Oh mik! Urime!”.

Isaac, i cili u bë i famshëm që në moshën 12-vjeçare me rolin e Bran-it, vazhdon të mbahet mend për kthesën dramatike në finalen e serialit, ku personazhi i tij u bë “Zoti i Gjashtë Mbretërive”.

Aktori ka deklaruar më herët se ishte i lumtur që një personazh me aftësi të kufizuara u kurorëzua mbret, duke e quajtur fundin “të veçantë dhe domethënës”.

Sot, me një karrierë të suksesshme dhe një diplomë në neuroshkencë, Isaac nis një kapitull të ri në jetën e tij personale, këtë herë, si burrë i martuar. /Telegrafi/