LAJMI I FUNDIT:

Xhihadistët nga Ballkani rikthehen të zhgënjyer nga ‘Kalifati’ i ISIS-it

Xhihadistët nga Ballkani rikthehen të zhgënjyer nga ‘Kalifati’ i ISIS-it

Disa xhihadistë nga Ballkani që shkuan në zonën siriane të konfliktit për të mbështetur Shtetin Islamik thonë se u rikthyen në shtëpi, sepse u zhgënjyen nga brutaliteti, varfëria dhe shtypja.

Hilmiu, një boshnjak etnik, shkoi në Siri duke shpresuar se jeta në Kalifatin e Shtetit Islamik do të ishte një mjedis ideal fetar, por ai arriti të arratisej 16 muaj më vonë, i zhgënjyer me atë që ai kishte gjetur atje.

“Atje nuk kishte asgjë. As energji elektrike, as libra, as internet, asgjë”, tha Hilmiu për BIRN.


“Kisha rreth 400 euro kursime, të cilat u shpenzuan shpejt për ushqim. Pastaj fillova të merrja rreth 50 dollarë në muaj pasi raportoja sikur isha i sëmurë. Ime shoqe ndihmonte gratë e tjera të moshuara, kështu që ndonjëherë ajo merrte ndonjë pagesë. Po çmendesha dhe gjatë gjithë kohës mendoja si të shpëtoja familjen time dhe të largohesha që atje,” risjell në mendje ai.

“Shikoni,” vazhdoi ai, duke hapur laptopin e tij dhe duke treguar një video.

“Nuk ka natyrë, nuk ka bar. Gjithçka ishte e vdekur, e braktisur. Shikoni delet e dobëta! E vetmja gjë që mund të bënim ishte të silleshim ndopak rrotull”, tha ai, para se të tregonte fotografi të familjes dhe miqve të tij, disa prej të cilëve nuk arritën kurrë të riktheheshin nga Siria.

Hilmiu, i cili ka nënshtetësi boshnjake dhe malazeze, është thjesht një nga 250 personat që u rikthyen në Ballkan pasi kaluan kohë në zonat e luftës në Siri dhe Irak – disa prej tyre, njësoj si ai, për shkak se u zhgënjyen nga ISIS-i.

Edhe pse shumë prej tyre nuk e pranojnë që shkuan për të luftuar, shtetet e Ballkanit i trajtojnë ata të gjithë si terroristë pasi një sërë ligjesh u miratuan në vitin 2015 dhe kriminalizuan çdo lloj përfshirjeje në konflikte të huaja.

Por edhe pse shumë prej tyre u gjykuan pasi u rikthyen, disa u janë bashkuar fushatave që përcjellin mesazhe kundër kësaj, në përpjekje për të bindur myslimanë të tjerë të mos bëjnë të njëjtat gabime që i çuan ata në fushat e betejës në Lindjen e Mesme.

Jeta në kalifat

Hilmiu ka qenë një besimtar mysliman gjatë gjithë jetës së tij dhe kur dëgjoi se Shteti Islamik kishte krijuar një kalifat, ai mezi po priste të shkonte dhe të zbulonte nëse ai drejtohej vërtet sipas parimeve të sheriatit.

Destinacioni i tij ishte një krahinë e Alepos ku miku i tij nga Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi, jetonte tashmë. Miku i tij e garantoi atë se atje nuk mungonte asgjë, se luftimet bëheshin shumë larg dhe se ai dhe familja e tij mund të qëndronin atje si mysafirët e tij.

“Plani im ishte të shkoja, të kontrolloja dhe pastaj të rikthehesha, të shisja shtëpinë dhe të shkoja përgjithmonë në Siri”, kujton Hilmiu.

Por kur ai arriti në shkurt 2015, ai mori lajme të këqija. Shoku i tij kishte vdekur në fushën e betejës pranë Kobanit.

Ndërsa betejat rreth Kobanit rriteshin në intensitet, Shteti Islamik shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, u mori pasaportat të gjithë të sapo ardhurve dhe i informoi ata se nuk mund të ktheheshin sepse “shoqëria e përsosur tashmë ka ardhur”.


Një anëtar i ISIS në Siri. Foto: AP
Me ndihmën e një boshnjaku që jetonte atje, i cili doli garant për Hilmiun, ata u zhvendosën në një shtëpi me refugjatë nga Kobani. Pas disa muajsh, ata morën një pronë të shkatërruar në periferi të një qyteti, afër kufirit turk, ku jetuan për më shumë se një vit.

Në Siri Himliu tha se takoi shumë njerëz të tjerë nga Ballkani.

“Erdhën shumë nga njerëzit tanë, kryesisht boshnjakë, por kishte edhe nga Serbia dhe Mali i Zi. Ata ishin të ndryshëm. Disa ishin besimtarë dhe të mirë, por kishte edhe kriminelë që përpiqeshin t’i shpëtonin ligjit. Disa prej tyre filmonin njëri-tjetrin, duke pozuar me armë nëpër duar”, kujton Himliu.

Ai tha se situata ndryshoi shpejt kur bombardimi nga regjimi i Bashar al-Assadit dhe mbështetësit e tij rusë u rrit. Qyteti nuk njihej më, rrugët ishin të zbrazura, ndërtesat u shkatërruan dhe shumë njerëz vdiqën.

“Ishim të pashpresë. Thjesht shkonim poshtë shkallëve, përqafonim fëmijët tanë dhe i luteshim Zotit të na shpëtonte,” kujton ai.

Pasi u zhgënjye nga kalifati i Shtetit Islamik dhe iu mohua rikthimi i pasaportës së tij, ai po kërkonte një mundësi për t’u arratisur dhe njëherë madje arriti deri në kufi me Turqinë, por nuk u lejua të kalonte nga forcat kufitare turke.

Më vonë ai takoi një sirian që u ofrua ta ndihmonte atë të arratisej në Turqi për 1,500 dollarë.

“I telefonova familjes time në shtëpi dhe u thashë të shisnin çdo gjë që kishte ngelur në shtëpi dhe të më dërgonin paratë,” tha ai.

Rruga e tij për të dalë nga territori i kontrolluar nga ISIS përfshinte kalimin nëpër fusha të minuara dhe gardhe me tela me dhemba në kufi. Ai arriti të mbijetonte falë udhërrëfyesit të tij vendas.

Megjithatë, kur hyri në Turqi, ai u arrestua dhe kaloi dy muaj e gjysmë në paraburgim si refugjat.

“Lëviza nga një burg në një tjetër dhe kisha vetëm një mendim. Çfarë i kisha bërë kështu fëmijës tim?”

Autoritetet turke u ofruan ta lironin, por ai duhej të kthehej në vendin e tij ose të shkonte në ndonjë shtet tjetër që ishte i gatshëm ta pranonte atë. Por Hilmiu vendosi të kthehej në Ballkan, ku u arrestua menjëherë pasi mbërriti për aktivitete që kanë lidhje me terrorizmin.

Mercenarë vrasin për ISIS-in

Ndryshe nga Hilmiu, i cili shkoi në Siri për të praktikuar fenë e tij dhe për të jetuar në një kalifat model, shumë luftëtarë nga Ballkani shkuan atje për para.

Me eksperiencën e fituar gjatë luftërave të viteve 1990, ata vërtetuan se ishin një aset i çmuar për forcat militante islamike në Lindjen e Mesme.

“Lërini ata t’i flasin njerëzve të tjerë për Zotin dhe hyritë (virgjëreshat që besohet se u sigurohen martirëve në parajsë). E di që Zoti s’do të më thoshte kurrë të vrisja një njeri tjetër në emër të Tij”, tha për BIRN Fisniku, një luftëtar i lindur në Maqedoni.

“Nuk dua të gënjej. Më interesojnë paratë. Isha në luftëra në ish-Jugosllavi, mora pjesë në grabitje të armatosura, kam qenë në burg,” shpjegoi ai.

Fisniku hetoi në Serbi, Mal të Zi, Turqi dhe Gjermani, gjë që e ndihmoi ata të lidhej me rekrutuesit xhihadistë.


Persona të paidentifikuar të armatosur në Siri, botuar nga propaganda terroriste e ISIS.

“Njerëzit nëpër xhami në Europë lidhen lehtë me njëri-tjetrin dhe ata e dinë se çfarë kontributi mund të japësh ti”, tha ai.

Fisniku iu bashkua fillimisht Al Nusrës në verën e vitit 2014 me miq nga Ballkani dhe Kaukazi të cilët fillimisht jetonin në Gjermani dhe Austri.

Ai thotë se iu premtuan 2,000 dollarë në muaj, plus mundësinë për të kryer grabitje shtesë në fushën e betejës.

“Ushtria e Asadit kishte moral të keq dhe motivim të ulët. Ne patëm sukses në Alepo dhe njerëzit filluan të flisnin për ne,” kujton ai.

Brutaliteti që ai dëshmoi në Siri ishte shumë më ekstrem se gjithçka që ai pa gjatë luftërave ballkanike.

Shikoja se si, pas betejës, ata i këpusnin kokat ushtarëve të kapur. Në fillim, ishte e tmerrshme, pasi nuk e kisha parë këtë në Jugosllavi. Pastaj më vonë mësohesh me këtë,” tha ai.

Pas dy muajsh, komandanti lokal i Fisnikut e lajmëroi atë dhe njësinë e tij po i bashkoheshin Shtetit Islamik.

“Nuk më interesonte se për kë luftoja, për aq kohë sa ai na paguante”, tha ai.

“Erdhën mercenarë të rinj, edhe të krishterë që e bënin këtë për para dhe adrenalinë. Pas betejës, njerëzit vazhdonin të grabisnin, plaçkitnin, arrestonin njerëz nën dyshimin se ishin spiunë, të alkoolizuar e kështu me radhë. Shpesh ky ishte një justifikim për të torturuar, përdhunuar dhe djegur”, vazhdoi ai.

Sipas Fisnikut, shuma më e madhe e parave që ai fitoi ishte kur transportoi disa objekte kulturore në kufirin turk.

“Bëhej fjalë për statuja dhe gjëra të tjera që ata gjasme i thyen para kamerave”, tha ai.

Pas pothuajse tre muajsh luftime nën flamurin e Shtetit Islamik, komandanti i Fisnikut u zhduk. Nuk ishte e qartë nëse ai ishte vrarë apo jo dhe shefat e tij të rinj atëherë kërkuan që ai të vriste civilë, që ai tha se s’ishte i përgatitur ta bënte.

“Unë shkova për para, jo për të masakruar të pafajshëm,” këmbënguli ai.

Fisniku tha se çmimi që iu kërkua të paguante që ta lejonin të largohej ishte që ai dhe katër luftëtarë të tjerë të vrisnin pesë “spiunë”, ndër ta edhe dy gra.

“Alternativa ishte që ata të na vrisnin ne në shesh”, tha ai.

Ish-luftëtari lufton ekstremizmin

Zhgënjimi me Shtetin Islamik bëri që Albert Berisha të krijonte një OJQ pasi ai u kthye nga zona e konfliktit në Siri për të ndihmuar ish-luftëtarë të tjerë të rikthehen në shoqëri dhe t’i largohen ideologjisë ekstremiste që i çoi ata të luftonin në një luftë të huaj.

“Shteti nuk e ka kuptuar kurrë se qëllimet tona s’ishin të bëheshim terroristë”, tha Berisha për BIRN, duke iu referuar 300 apo më shumë kosovarëve që besohet se kanë luftuar në Lindjen e Mesme gjatë viteve të fundit.

“Secili kishte historinë dhe qëllimet e tij. Por e vetmja gjë e rëndësishme për ata që janë rikthyer është se rikthimi i tyre do të thotë se ata u zhgënjyen nga ajo që panë”, tha ai.


Albert Berisha krijoi një OJQ për të ndihmuar ata që ktheheshin nga Siria | Foto kortezi nga Albert Berisha

Berisha s’është një xhihadist tipik. Ai u diplomua për shkenca politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka diplomë master nga Universiteti i Tiranës.

Berisha tha se ai shkoi në Siri nga data 6 deri më 20 tetor 2013, për të ndihmuar opozitën siriane në luftën e tyre kundër regjimit të Bashar Al-Asadit, por nuk u angazhua kurrë vetë në luftime.

Ai thotë se arsyeja pse ai shkoi ishte se nuk gjeti ndonjë kuptim në shoqërinë kosovare dhe donte të ndihmonte vëllezërit e tij myslimanë në luftën e tyre kundër një diktatori.

Pasi mbërriti në Siri, ai kërkoi t’u bashkohej grupeve të tjera shqipfolëse “për të shmangur barrierat gjuhësore” dhe u çua të takonte Lavdrim Muhaxheri, komandantin e luftëtarëve shqiptarë të Shtetit Islamik.

“Betohem për Zotin se s’kisha dëgjuar kurrë më parë për të dhe s’e kisha takuar kurrë më parë,” tha Berisha në gjyqin e tij në Prishtinë pasi u kthye.

Ai pretendoi se bëri kërkime në internet gjatë dy orëve që kishte energji elektrike në ditë, duke u përpjekur të kuptonte se ku kishte përfunduar dhe gjeti një video të Muhaxherit.

Për shkak se largimi nga ISIS u vërtetua se ishte pothuajse i pamundur, ai përdori Facebookun e tij për të kontaktuar një mik në Kosovë dhe për të rregulluar një plan largimi.

“Ai më pas më dërgoi një mesazh duke thënë se një i afërmi im ishte i sëmurë dhe se duhej të kthehesha në shtëpi, gjë të cilën unë e përdora si justifikim për t’u kthyer në Kosovë,” tha ai në gjykatë.

Gjykata e shkallës së parë në Kosovë e dënoi atë me tre vjet e gjysmë burg për terrorizëm. Çështja e tij aktualisht është në gjykatën e apelit dhe ai po e pret vendimin në liri.

“Gjërat më të vështira për mua ishin paragjykimi shoqëror, dyshimet e vazhdueshme dhe presionet e vazhdueshme nga të gjitha institucionet shtetërore – tendenca e tyre për të përmbushur axhendat e tyre politike apo institucionale nëpërmjet nesh”, tha Berisha.

“Akoma më e vështirë ishte koha pasi u lirova nga paraburgimi. Atëherë, ne (xhihadistët e rikthyer) ishim bërë fytyra publike në Kosovë dhe njerëzit filluan të na stigmatizonin edhe më shumë”, shtoi ai.

“Është shumë e vështirë për njerëzit e gjendur mes dy zjarreve, kur nuk e di më se ku e ke vendin,” tha ai.

OJQ-ja e tij, e quajtur INSTID, synon të luftojë ekstremizmin fetar në Kosovë dhe të deradikalizojë njerëzit që janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Duke ditur që shumica prej tyre kanë qenë viktima, mendova se viktimizimi i mëtejshëm i tyre nuk ishte një zgjidhje dhe kërcënonte t’i radikalizonte ata edhe më shumë”, shpjegoi ai.

“Kështu që vendosa të ngrija një institucion që do të trajtojë ekskluzivisht këtë, në mënyrë që njerëzit të bëhen përsëri të dobishëm në shoqëri dhe të mos u hiqet liria, që krijon potencialin për një radikalizim edhe më të madh dhe madje edhe për të radikalizuar të tjerë në burg”, tha ai. /BIRN/

Në trend Lajme

Më shumë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori