Xabi Alonso është prezantuar sot zyrtarisht si trajner i ri i Real Madridit, duke marrë drejtimin e një prej klubeve më të mëdha në histori.

Në konferencën për media, ish-mesfushori i Los Blancos foli me emocione të forta, respekt për të kaluarën dhe një vizion të qartë për të ardhmen e ekipit.


“Është një ditë shumë emocionale për mua, një ditë që do ta mbaj mend gjithmonë”, deklaroi Alonso. “Një njeri ka vetëm një mundësi për të qenë trajner i Real Madridit, dhe sot është fillimi”.

Falënderim për Ancelottin

Alonso e nisi deklaratën e tij duke nderuar paraardhësin e tij në stolin e bardhë, Carlo Ancelotti: “Para se të flas për një epokë të re, duhet të falënderojmë epokën e mëparshme. Dua ta falënderoj paraardhësin tim, zotin Carlo Ancelotti – trajnerin tim dhe një nga mësuesit e mi. Nuk do të isha këtu pa Carlo Ancelottin. E admiroj shumë dhe e falënderoj”.

Vizioni dhe filozofia e lojës

Trajneri i ri konfirmoi se tashmë ka bërë analizën e parë për skuadrën dhe se i ka të qarta shumë nga pikat kyçe për përmirësim: “E kam bërë analizën time për skuadrën, po. Kam ndjekur ndeshjet dhe i kam analizuar”.

Në lidhje me stilin e lojës dhe fleksibilitetin taktik, Alonso u shpreh: “Duhet të jemi fleksibilë dhe dinamikë. Tashmë kam një ide për mënyrën si do të luajmë, por ajo ide nuk është fikse, mund të ndryshojë”.

“Duam kontroll total. Si me topin, ashtu edhe pa topin. Stili ynë do të jetë proaktiv dhe energjik. Si do ta rregullojmë balancën në mbrojtje? Ideja jonë është të shtojmë një dinamikë kolektive mbi cilësinë e jashtëzakonshme individuale që kemi”, shtoi spanjolli.

I pyetur për numrin e sulmuesve që do të përdorë, Alonso dha një përgjigje plot humor, duke treguar qartësi taktike dhe fleksibilitet: “Sa sulmues do të luajnë? Futbolli është dinamik. 3 sulmues mund të bëhen 2, 2 mund të bëhen 3, 3 mund të bëhen 5".

"E rëndësishme është që kemi lojtarë të shkëlqyer. Pastaj, është problemi im si t’i menaxhoj”, potencoi më tej Alonso duke qeshur.

Lojtarët kyç: Mbappe, Vinicius, Rodrygo dhe Bellingham

Alonso komentoi edhe për yjet aktualë të skuadrës, përfshirë dyshen Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior, që pritet të jenë pjesë qendrore e ofensivës së Real Madridit.

“Kylian dhe Vini? Kam tashmë disa ide për ta. Jemi me fat që kemi lojtarë të këtij niveli. Duhet të shfrytëzojmë maksimalisht pikat e tyre të forta”, vazhdoi Xabi.

Për Rodrygon, Alonso dha një sinjal të qartë për rëndësinë e tij në projektin e ri: “Rodrygo? Është një lojtar fantastik dhe do të kemi nevojë për të. Do të flas me të së shpejti”.

Ndërsa për mesfushorin anglez Jude Bellingham, Alonso nuk kurseu vlerësimet: “Çfarë roli do të ketë Bellingham? E shoh si mesfushor. Është një talent i gjithanshëm, mund të luajë kudo. Ai do të jetë thelbësor për ne”.

Pa kërkesa, por me objektiva të qarta

I pyetur nëse ka kërkuar përforcime nga klubi, Alonso dha një përgjigje të matur: “A kam kërkuar një mesfushor? Është detyra jonë që gjithmonë të përpiqemi të përmirësohemi. Kam komunikim të drejtpërdrejtë me klubin për të parë si mund të rritemi. Nuk kam ardhur këtu me kërkesa për transferime, por me qëllimin për ta bërë skuadrën më të mirë”.

Në fund, Alonso theksoi edhe qasjen e tij ndaj marrëdhënies me lojtarët: “Dua të jem afër lojtarëve të mi dhe të nxjerr më të mirën prej tyre”.

Me këtë paraqitje të parë, Xabi Alonso ka dhënë sinjalet e një epoke të re për Real Madridin, të ndërtuar mbi respektin, analizën, fleksibilitetin taktik dhe filozofinë e kontrollit total. Tani mbetet që vizioni i tij të konkretizohet në fushën e lojës, aty ku ai dikur shkëlqeu si futbollist dhe tani synon të lërë gjurmë si trajner. /Telegrafi/

telegrafi sport app