Shtëpia e Bardhë ka reaguar ndaj një raporti të ri të Wall Street Journal, i cili pretendon se presidenti amerikan, Donald Trump u informua nga Departamenti amerikan i Drejtësisë se emri i tij ndodhej mes shumë të tjerëve në dosjet e pedofilit të ndjerë, Jeffrey Epstein.

“Kjo nuk është gjë tjetër veçse një vazhdimësi e tregimeve të rreme të shpikura nga Demokratët dhe mediat liberale,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, në një deklaratë të dërguar me email.


Media amerikane, duke cituar zyrtarë të lartë, raportoi se Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi dhe zëvendësja e saj i thanë Trumpit gjatë një takimi në muajin maj se emri i tij ishte ndër shumë emra të përmendur në dosjet e Epsteinit, shkruan skynews.

Gazeta raportoi se përmendja e emrit të Trumpit nuk ishte shenjë për ndonjë shkelje, dhe se dosjet përmbanin ato që zyrtarët i konsideronin thashetheme të paverifikuara për shumë persona, përfshirë liderin amerikan.

Shtohet se departamenti nuk kishte në plan të publikonte dokumente të tjera në lidhje me hetimin.

Kjo vjen pasi Trump paditi pronarin e gazetës News Corp, Rupert Murdoch, dhe dy gazetarë për shpifje, pas një raporti ku pretendohej se ai i kishte dërguar një letër Epsteinit. /Telegrafi/