"Në Prishtinë po formohet qeveria, ndërsa në Serbi janë zgjedhjet presidenciale. Tash është koha që Qeveritë nacionale të vendosin për punën e mëtutjeshme. SHBA-të e ka shprehur mendimin e tyre. Ne jemi të molisur nga përpjekjet e arsyeshme që të arrihet një kompromis i negociuar”, ka thënë Wisner në një intervistë për gazetën serbe “Veçernje novosti".

Sipas ambasadorit amerikan, nuk ka absolutisht asnjë lloj arsye të mendohet se bisedimet e mëtutjeshme do të shpinin deri të ndryshimi i sjelljes, por përkundrazi: “Mbetemi të ngujuar me problemet e njëjta”, është shprehur ai.

Wisner ka thënë se disa shtete që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovë, nuk obligohen ta pranojnë atë, sikur dhe që kjo, nuk do të jetë një zgjidhje të cilën do të jetë i gatshëm ta pranojë secili - dhe se një zgjidhje e tillë, nuk ekziston kur bëhet fjala për Kosovën.

"Gjatë dy viteve të kaluara – fillimisht me presidentin Ahtisaari dhe më pas me Treshen – përmes bisedimeve provuam të gjenim një zgjidhje të bazuar në kompromis. Është vërtetuar se është e pamundur që ajo të arrihet. Palët kanë qëndruar të palëkundura në pozicionet e tyre”, ka deklaruar ndërmjetësi amerikan.

"Qëndrimi ynë është ky – është koha e duhur që të vihet në jetë Plani i Ahtisaarit. Ky plan flet qartë për perspektivën e Kosovës së pavarur”, ka thënë Wisner.

Ai konsideron se nëse Kosova bëhet e pavarur - kjo çështje për Serbinë do të jetë e pakryer, por për Kosovën do të jetë e kryer dhe se, jeta do të vazhdojë. Po ashtu ai ka thënë se, nëse Kosova e fiton pavarësinë, ajo do të mund të vazhdojë me zhvillimin e brendshëm, ndërsa Serbia do të mund të “kalkulonte lidhur me interesat e saj personale lokale”.

"Të gjithë do të nisen përpara. Është angazhim i të dyja qeverive që të vazhdojnë në paqe, pa konfrontime”, ka thënë ai.

I pyetur nëse çështja e Kosovës do të zgjidhet në Këshillin e Sigurimit, apo do të vije deri të shpallja e njëanshme e pavarësisë, Wisner ka thënë se, nuk dëshiron ta parashikojë të ardhmen, ndërsa dyshon që Rusia do të mund ta ndërronte qëndrimin e saj.

"Megjithatë, jemi të ballafaquar me imperativin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Andaj është i nevojshëm konkludimi – ndërsa koha nuk është mik i askujt”, ka përsëritur qëndrimin e tij Wisner, për të pohuar se një numër i madh i vendeve evropiane i kuptojnë imperativët e njëjtë.

Ambasadori amerikan ka thënë se SHBA-të kanë marrë pjesë në bisedimet për statusin e Kosovës që të gjendej një zgjidhje e bazuar në kompromis – mirëpo procesi i bisedimeve ka treguar se kompromisi është i pamundshëm.

"Pasi që imperativi është gjetja e zgjidhjes – ne jemi detyruar të sjellim përfundimin. Nuk ka mënyrë që Kosova të jetë e gatshme të kthehet nën sovranitetin e Serbisë. Kështu kemi ardhur deri të përfundimi më logjik që i sjell stabilitet Kosovës, dhe krijon qartësinë mëse të nevojshme për rajonin, dhe kjo është pavarësia”, ka shpjeguar Wisner.