Wall Street Journal publikoi një letër ditëlindjeje që Trump i dërgoi pedofilit Epstein

Një vizatim nudo dhe një shënim me emrin e Donald Trump janë zbuluar në një koleksion letrash për ditëlindjen e Jeffrey Epstein në vitin 2003. Presidenti amerikan mohon çdo lidhje dhe paralajmëron padi ndaj mediave.
Një letër që mban emrin e presidentit Trump dhe përfshin një vizatim të një gruaje të zhveshur është zbuluar në një koleksion letrash të dhuruara për ditëlindjen e 50-të të Jeffrey Epstein, sipas një raporti të publikuar të enjten nga Wall Street Journal.
Në vizatim, nënshkrimi “Donald” shfaqet në një pozicion të papërshtatshëm në trupin e figurës femërore, dhe përmban një tekst të daktilografuar që përfundon me fjalinë “Gëzuar ditëlindjen - dhe u bëftë çdo ditë një sekret tjetër i mrekullueshëm”.
Presidenti amerikan ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me këtë letër, duke deklaruar në një intervistë për Wall Street Journal “unë kurrë nuk kam bërë vizatime në jetën time. Nuk vizatoj gra. Nuk është gjuha ime. Nuk janë fjalët e mia.”
Ai e ka cilësuar letrën si të falsifikuar dhe ka kërcënuar me padi ndaj gazetës dhe pronarit të saj, Rupert Murdoch, raporton cnn.
Më vonë gjatë së enjtes, Trump publikoi një mesazh në rrjetin Truth Social, ku njoftoi se kishte urdhëruar prokuroren, Pam Bondi të publikojë çdo dëshmi përkatëse nga juria e madhe, me kushtin e miratimit gjyqësor. Bondi reagoi menjëherë në platformën X, duke thënë se ishte e gatshme ta bënte këtë të premten, megjithëse procedurat ligjore mund të kërkojnë më shumë kohë.
Trump gjithashtu akuzoi Wall Street Journal se kishte shpërndarë një “lajm të rremë” dhe konfirmoi se do të padiste gazetën, grupin NewsCorp dhe vetë Rupert Murdoch. “Presidenti Trump do të padisë The Wall Street Journal, NewsCorp, dhe Murdoch së shpejti,” thuhej në postimin zyrtar.
Raporti ka ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale. Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance e quajti historinë “marrëzi e plotë”, ndërsa figura të tjera të njohura të kampit konservator dolën në mbrojtje të Trump. Aktivistja Laura Loomer shkroi se “letra është krejtësisht e falsifikuar” dhe se Trump “nuk shkruan në veturë shkrimi, por me marker të zi.” Ndërsa Charlie Kirk theksoi se gjuha e përdorur në letër “nuk përputhet fare me mënyrën si flet Trump.”
Letra ishte pjesë e një albumi të përgatitur nga Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e ngushtë e Epsteinit, e dënuar për trafik seksual të të miturve. Ky album, që përmbante letra nga Trump dhe personalitete të tjera, është përfshirë më vonë në hetimet e Departamentit të Drejtësisë.
Kujtojmë se Trump ka qenë i fotografuar me Epstein në disa raste në vitet 1990 dhe 2000, dhe emri i tij është shfaqur në regjistrat e udhëtimeve të aeroplanit privat të pedofilit të ndjerë. Megjithatë, Trump ka pohuar se marrëdhënia me Epstein kishte përfunduar shumë kohë përpara se ky i fundit të dënohej për herë të parë në vitin 2008.
Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë javën e kaluar deklaroi se Epstein kishte kryer vetëvrasje dhe se nuk ekziston një “listë klientësh”, duke mbyllur hetimin dhe duke refuzuar të publikojë dokumente të tjera. Kjo ka shkaktuar zemërim mes shumë mbështetësve të Trumpit, të cilët prisnin transparencë të plotë nga administrata aktuale.
Në përgjigje, Trump ka sulmuar hapur bazën e vet politike, duke e quajtur fokusin ndaj çështjes Epstein si një “mashtrim të ri” dhe duke i etiketuar si “republikanë budallenj dhe të pamatur” ata që kërkojnë hetim të mëtejshëm. /Telegrafi/





















































