Ai ka thënë se ka gjetur emrat e përfshirë në këtë “incident” me flamurin e Shqipërisë etnike, dhe thotë se ata emra janë të gjithë shqiptarë nga Italia.

“Po, kemi emra, emra shqiptarë. Këta njerëz erdhën nga Italia dhe kanë marrë një dhomë pranë stadiumit. Ishte e organizuar dhe e përgatitur shumë mirë. Por, ne e kemi zgjidhur këtë çështje. Unë e kam takuar dy herë kryeministrin shqiptar që atëherë dhe kemi nënshkruar marrëveshje të rëndësishme. Duhet të imagjinoni këtë: Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq shkojnë së bashku në Bruksel dhe kërkojnë mbështetje për projekte të përbashkëta! Kjo do të ndodhë sivjet”, ka thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.


Ai ka thënë se me Ramën nuk kanë pasur tensione ndonjëherë, përveç asaj konferencës për media gjatë vizitës që kryeministri shqiptar i bëri Beogradit muaj më parë.

“Po, por më pas kemi biseduar dhe pas 20 ditësh e kam pritur atë sërish në Beograd. Në bisedën tonë nuk është folur fare për Kosovën. Ai e ka bërë këtë për mediat në vendin e tij, dhe unë kam reaguar siç duhet të reagoja. Puna jonë është të zgjidhim së bashku problemet, për hir të së ardhmes të vendeve tona. Shqipëria nuk është armik i Shqipërisë dhe e anasjellta”, është shprehur Vuçiq.

Në pyetjen se a mendon se “Shqipëria e Madhe” është një kërcënim real për rajonin, kryeministri serb ka thënë: “Unë e kam parë këtë flamur jo vetëm në stadiumin e Beogradit, por edhe në murin e selisë së kryeministrit të Shqipërisë. Është një flamur shumë i përhapur në zonat e banuara nga shqiptarët. Nëse do thosha që nuk jam i shqetësuar, nuk do i merrja gjërat seriozisht. Por, racionaliteti dhe arsyeja do të mbizotërojnë dhe askush nuk do ëndërrojë për krijimin e një Shqipërie të Madhe. Kështu shpresoj unë të paktën”.

Vuçiq ka folur edhe për Kosovën, ndërsa ka shtuar se deklarata e ministrit të jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, se Serbia de fakto e ka njohur Kosovën, është një e pavërtetë.

“Nuk mendoj se ka të drejtë. Politikanët e Kosovës janë viktima të retorikës njohje-mosnjohje. Gjëja më e rëndësishme është kjo: a po i diskutojmë problemet tona në mënyrë të qetë? Po. A ka apo nuk ka dialog? Po, ka. A kemi zgjidhur shumë probleme? Po, kemi zgjidhur”, ka thënë më tej Vuçiq.

Ndërkaq, si pasojë e ndryshimit të vet Rusisë pas aneksimit të Krimesë, Die Presse pyet Vuçiqin se a vazhdon të jetë Rusia partner i besueshëm i Serbisë sa i përket Kosovës?

“Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, siç nuk e bëjmë as ne. Për këtë i jemi mirënjohës. Janë edhe pesë shtete tjera të BE-së që nuk e njohin Kosovën si shtet. Ndërkaq, ne përkrahim integritetin territorial të Ukrainës, por se asgjë s’ka ndryshuar”, është shprehur kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq. /Koha/