Vrasja makabre e 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, vazhdon të tronditë opinionin publik në Itali, ndërsa hetimet që kanë hyrë në javën e dytë po sjellin në dritë detaje të reja rrëqethëse.

Së fundmi, mediat italiane kanë publikuar mesazhe që Mark Samson, i dashuri i Ilarias dhe autori i dyshuar i vrasjes, ia dërgonte shoqes së ngushtë të vajzës, Maria Sofia, duke u përpjekur të mbulojë zhdukjen e saj.


Në përmbajtjen e mesazheve, Samson, duke përdorur telefonin e Ilarias, pretendonte se ajo kishte njohur një djalë të ri dhe kishte vendosur të kalonte natën me të. Në një nga mesazhet shkruhej: “U takuam këtë mëngjes jashtë Sapiencës dhe më pyeti nëse do të dilja me të. Do fle në shtëpinë e tij sot.”

Për ta bërë gënjeshtrën më të besueshme, ai i dërgoi Maria Sofias në orën 19:42 një foto të një vajze gjysmë të zhveshur, duke e nxitur shoqen të besonte se Ilaria kishte nisur një lidhje të re. “O Zot, atëherë? E bëtë?”, shkroi Maria Sofia, ndërsa përgjigjja që mori ishte: “Po, kam bërë një marrëzi.”

Kur shoqja e saj u përpoq të merrte më shumë informacion dhe i kërkoi vendndodhjen, Samson u përgjigj: “Nuk kam dëshirë ta them, Sofi, dua të ndihem e lirë... jam pothuajse në Napoli.” Pavarësisht përpjekjeve të saj për të kuptuar se çfarë po ndodhte, përgjigjet e Samsonit ishin të mbushura me justifikime dhe shmangie.

Kur Ilaria nuk u kthye dhe nuk u përgjigj më në telefon, Maria Sofia u alarmua dhe i shkroi: “Ilaria, më ka telefonuar mamaja jote. Po thirr policinë.” Në mesditë, Samson u përgjigj sërish në emër të vajzës: “Të lutem, e harrova fare që duhet të shkoja në Terni. Nuk jam në Romë.”

Ndërkohë që shoqja e saj kërkonte të dëgjonte zërin e Ilarias për t’u bindur se ishte mirë, Samson pretendonte: “Mikrofonin nuk e kam funksional, telefoni më ra në ujë.”

Pasi nuk mundi ta mbante më mashtrimin përmes mesazheve, më 31 mars, kur lajmi për zhdukjen e Ilarias u bë publik, Samson ndërhyri edhe në profilin e saj në Facebook duke shkruar: “Faleminderit të gjithëve, jam mirë.” Kjo ishte tentativa e fundit për të shmangur hetimet.

E vërteta u zbardh më në fund në natën mes 1 dhe 2 prillit, kur u gjet trupi i pajetë i 22-vjeçares, duke i dhënë fund një tragjedie që ka tronditur Italinë dhe ka lënë shumë pikëpyetje mbi motivet dhe rrethanat e këtij krimi të rëndë.