Volkswagen ka vendosur të mos zhvillojë për momentin versione plotësisht elektrike apo hibride të modelit global Amarok, duke qëndruar te motorët tradicionalë me naftë dhe benzinë.

Ndryshe nga versioni për Amerikën e Jugut, Amarok global ndërtohet mbi të njëjtën platformë si Ford Ranger.


Megjithëse Ford tashmë ofron një variant plug-in hibrid me motor 2.3 litra turbo dhe bateri 11.8 kWh, Volkswagen ka zgjedhur të mos ndjekë të njëjtin drejtim.

Sipas CarExpert, drejtori i markës Nathan Johnson tha se CEO Stefan Mecha ka konfirmuar se projektet për Amarok PHEV dhe BEV “nuk janë më në diskutim për këtë gjeneratë”.

Megjithatë, VW nuk e përjashton mundësinë që gjenerata e ardhshme të jetë e elektrifikuar, duke parë zhvillimet e tregut.

Ndërkohë, në Amerikën e Jugut, kompania po përgatit një Amarok hibrid të ri që pritet të dalë në vitin 2027. /Telegrafi/