Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë ditën e premte në një incident fizik me një qytetar. Ky incident ka nxitur disa reagime.

Një reagim mbi situatën e ka bërë edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, transmeton Telegrafi.


Çitaku ka përmendur një rast kur ishte sulmuar me vezë, duke theksuar se ajo kishte gabuar që rastin nuk e kishte iniciuar tek organet përgjegjëse.

Mes tjerash, ajo ka shkruar se "për dekada, eksponentë të VV-së kanë sharë, fyer e kërcënuar. Kanë mbjellë helm e kanë stigmatizuar. Si pasojë, shoqëria jonë është më e polarizuar se kurrë më parë".

Reagimi i plotë:

"Nuk e harroj kurrë, diku para tetë vitesh, isha në Universitetin e Colorados, në një bashkëbisedim për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Isha mysafire e Ambasadorit Christopher Hill, i cili atëkohë shërbente si dekan në Departamentin për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Drejt fundit të diskutimit, një vajzë e re nga Kosova u ngrit, më quajti vrasëse e kriminele ( duke aluduar në rastin Dehari), ndërsa Ambasadorin e akuzoi se po promovonte “vrasësit”.

Në fund, na goditi me vezë.

Nuk mbaj mend ndonjë rast tjetër ku jam ndier më në siklet. M’u desh të arsyetohesha para një audience që kishte ardhur të dëgjonte për Kosovën, për politikën e jashtme dhe aspiratat tona për anëtarësim në BE e NATO.

Gabimi që bëra atëherë ishte se nuk e nisa rastin tek organet gjegjëse, sepse sulmi ndaj Ambasadorit të një vendi është vepër e rëndë, për arsye të imunitetit diplomatik. Zgjodha ta amnistoja.

Por sot e di se rastet e tilla duhet të ndiqen ligjërisht. Dhuna, qoftë fizike apo verbale, nuk duhet as të amnestohet, as të normalizohet.

Për dekada, eksponentë të VV-së kanë sharë, fyer e kërcënuar. Kanë mbjellë helm e kanë stigmatizuar. Si pasojë, shoqëria jonë është më e polarizuar se kurrë më parë.

Pjesë të përgjegjësisë kemi edhe ne, sepse shpesh kemi zgjedhur heshtjen në vend të ligjit, faljen në vend të drejtësisë"./Telegrafi/