VLEN: Maqedonia e Veriut çdoherë do të jetë krah SHBA, si partner i përhershëm strategjik

Koalicioni VLEN ka shprehur qëndrimin e tij në lidhje me zhvillimet e fundit dhe veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit. Nga VLEN thonë se Maqedonia e Veriut si anëtar i NATO-s, qëndron fuqishëm në krah të aleatëve dhe mbështet çdo përpjekje që synon ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe global.
"Në një kohë sfidash të shumta globale, siguria dhe stabiliteti ndërkombëtar mbeten vlera themelore që kërkojnë vendime të përgjegjshme dhe lidership të qartë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar historikisht rolin e tyre si garantuese të paqes, stabilitetit dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla".
"Si aleate e përhershme dhe partnere strategjike e SHBA-së, Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta që na lidhin: demokracisë, lirisë, sigurisë kolektive dhe mbrojtjes së paqes. Partneriteti ynë me SHBA-në nuk është thjesht politik, por është partneritet vlerash dhe orientimi strategjik. VLEN thekson se vendi ynë, si anëtar i NATO-s, qëndron fuqishëm në krah të aleatëve tanë dhe mbështet çdo përpjekje që synon ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe global. Siguria e përbashkët është përgjegjësi e përbashkët, dhe në këtë kuadër, solidariteti me aleatët tanë është i panegociueshëm".
"Ne besojmë se paqja nuk është vetëm mungesë konflikti, por prani e drejtësisë, stabilitetit dhe rendit ndërkombëtar. SHBA-ja ka qenë dhe mbetet faktor kyç në garantimin e këtyre parimeve. Maqedonia e Veriut çdoherë do të jetë krah SHBA, si partner i përhershëm strategjik dhe si shtet që e sheh të ardhmen e tij të lidhur ngushtë me botën demokratike dhe euroatlantike", thonë nga VLEN.















































