Fillimisht kryeqytetin kosovare e vizitoi reperi i famshëm botëror Busta Rhymes, i cili mblodhi mijëra të rinj për të realizuar një koncert mjaft të suksesshëm dhe për të lënë një shije të ëmbël te të rinjtë kosovarë për koncertet e tilla. Pavarësisht dilemave për ardhjen e tij, ai në fund e ‘kalli’ sallën “1 Tetori” të Prishtinës dhe adhuruesit e kësaj muzike dolën të gjithë të kënaqur.

Më pas ishte reperi Lloyd Banks ai që sërish mbushi plot parkingun prapa pallatit të rinisë në ngjarjen 'Open Air' me adhurues të muzikës hip-hop. Edhe ky ishte një koncert mjaft i suksesshëm i organizuar nga “Next Level” që argëtoi të rinjtë kosovarë gjatë një nate vere, e që i hapi rrugën edhe ardhjes së reperit tjetër amerikan Xzibit.


Në koncertin e Xzibit ishte një alarm i rrejshëm për bombë në sallën “1 Tetori”. Polica kosovare kishte ndërhyrë menjëherë për të zbrazur sallën, por gjysmë ore më vonë gjithçka i ishte kthyer normales. Bomba e vërtetë e asaj nate ishte pikërisht reperi amerikan, i cili arriti vërtet ta ndezë publikun e pranishëm.

Dhe në fund të këtij viti si dhuratë për adhuruesit e hip-hopit, në Prishtinë ishte reperi The Game. Me fjalët e tij, “Po të lindja sërish do të doja të lindja shqiptar”, ai emocionoi adhuruesit e tij, të cilët kaluan edhe një natë jashtëzakonisht argëtuese.

Sipas paralajmërimeve, edhe viti 2012 pritet të sjellë koncerte hiç më pak të bujshme. Më 23 janar në Prishtinë pritet të arrijë reperi DMX, ndërsa në prill pritet po në Prishtinë pritet të performojë këngëtarja Ciara. /Telegrafi/