LAJMI I FUNDIT:

Video-incizimet zbulojnë dëshmitarë të rinj të vrasjes së dyfishtë në Shaptej të Deçanit

Video-incizimet zbulojnë dëshmitarë të rinj të vrasjes së dyfishtë në Shaptej të Deçanit

Video-incizimet e kamerave që ishin të vendosura afër vendit ku ndodhi vrasja e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj janë shfaqur sot përmes projektorit në seancën gjyqësore.

Për vrasjen e dyfishtë që kishte ndodhur në Shaptej të Deçanit më 25 gusht të vitit të kaluar po gjykohen dy bashkëfshatarë e viktimave Salih e Durim Lushaj, që janë babë e bir mes vete.

Gjatë seancës së djeshme me gjithë përpjekjet e shumta doli e pamundur hapja e video-incizimeve.


Ndërsa, sot, pasi u hapën, video-incizimet zbuluan edhe dy dëshmitarë të rinj, të cilët u propozuan nga prokurorja e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj, të dëgjohen para trupit gjykues në cilësinë e dëshmitarëve.

Gjatë transmetimit të video-incizimit fillimisht u vërejt një veturë e bardhë në lëvizje, për të cilën prokurorja tha se është e të akuzuarit Salih Lushaj.

Vetura e bardhë fillimisht del nga një rrugicë e lagjes se fshatit dhe niset në drejtim të Deçanit. Pas disa minutave sërish kthehet nga ishte nisur.

Disa momentet me vonë u vërejt në video-incizim një këmbësor në lëvizje, për të cilin prokurorja tha se është Mutafë Ramaj.

Disa minuta me vonë nga vendi ku doli vetura e bardhë vërehet një veturë ngjyrë e zezë, e tipit “Audi”, e prokurorja Valbona Disha Haxhosaj tha se atë e ngiste i akuzuarit tjetër, Durim Lushaj.

Ndërkohë, pas veturës vërehet edhe një kalimtar me biçikletë, për të cilin u tha se është dëshmitari Arben Beqiraj.

Pas disa minutave në bazë të video-incizimit vërehet duke vrapuar drejt vendit të ngjarjes Salih Lushaj dhe i mituri Demush Lushaj.

Jo shumë dhe pas tyre vërehet duke shkuar drejt vendit të ngjarjes në këmbë edhe personi të cilin prokurorja tha se ka identifikuar si Metë Ramaj. E dikur edhe personi tjetër Ramë Ramaj, të cilin prokurorja tha se e kishte identifikuar nga video-incizimet.

Nga kamera e cila kishte filmuar rrugën jo shumë larg vendit ku kishte ndodhur vrasja e dyfishtë, vërehet vetura e tipit “Audi” ngjyrë e zezë duke u kthyer me shpejtësi.

Prokurorja tha se atë veturë e ngiste i akuzuari Durim Lushaj.

Menjëherë pas tij vërehet duke vrapuar Salih Lushaj, i cili në një rast kishte vënë dorën edhe në kokë. Video-incizimet e kamerave kishin kapur Ramë Ramajn duke shkuar shpejt në shtëpinë e tij, i cili del pas disa çasteve me veturë dhe niset shpejt drejt vendit të ngjarjes. Prokurorja Disha-Haxhosaj tha se ky person i ka bartur të ndjerët me veturën e tij drejt Spitalit.

Duke i identifikuar edhe personat që shkojnë drejt vendit të ngjarjes, Metë e Ramë Ramaj, prokurorja e rastit propozoi që të njëjtit të ftohen në gjykatë në cilësinë e dëshmitarëve.

Ky propozim u aprovua nga trupi gjykues, ndërsa avokatja e Salih Lushajt, Kosovare Kelmendi theksoi se dëgjimi i tyre është jorelevant, pasi sipas saj, të njëjtit nuk kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes.

Avokatja Kelmendi dha vërejtje edhe kur u konstatua se Salih Lushaj kishte lëvizur fillimisht me veturën e tij, sepse, sipas saj, nuk mund të identifikohet ngasësi i veturës, e madje as pronësia e saj.

Dëshmia e ekspertit të grimcave të barutit

Prokurorja Valbona Disha Haxhosaj kishte propozuar që në cilësinë e dëshmitarit para trupit gjykues të dëgjohej edhe eksperti për grimcat e barutit.

Milazim Tahirukaj tha se është shef i Divizionit për eksploziv, zjarrvënie dhe grimcat e barutit.

Derisa po i parashtroheshin pyetjet nga prokurorja, eksperti Tahirukaj tha së në agjencinë prej nga ai vjen kryhen ekspertiza të cilat sillen nga vendi i ngjarjes të kryera nga krimet teknike të Policisë.

I pyetur se a mund të barten grimcat e barutit edhe te personat të tjerë të cilët nuk shtinë me armë, eksperti tha se një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet.

“Mundësia e transferimit është e mundshme, se ato janë gazra që fillimisht janë në ajër e pastaj grimcat mund të shpërndahen edhe te viktimat, apo personat që janë afër”, tha Tahirukaj.

Nga katër provat të cilave u është bërë ekspertiza, dëshmitari Tahirukaj tha se dy prej tyre kanë dalë pozitive me prezencë të barutit, kurse te dy provat e tjera ai tha se nuk janë gjetur.

Për provat 1 dhe 2 bëhej fjalë për grimcat e barutit të gjetura në duart e të ndjerit, Burim Ramaj.

Tutje, eksperti për grimcat e barutit shpjegoi edhe rrethanat të cilat mund të ndikojnë për heqjen e grimcave të tyre.

Ai tha se mund të ndikojë koha e kryerjes së ekspertizës, larja e duarve dhe rrethanat e tjera të kushteve atmosferike.

Të akuzuarit do t’i bëhet ekspertiza psikiatrike

Gjatë seancës se djeshme të këtij gjykimit, avokati i Durim Lushajt, Gëzim Kollçaku, kishte bërë kërkesë që klientit të tij t’i bëhej një ekspertizë psikiatrike.

Ai këtë kërkesë e kishte mbështetur në disa raporte mjekësore dhe një libër shkencor, ku citoi se personat që kryejnë vrasje, duhet t’u bëhet ekspertiza psikiatrike.

Kjo kërkesë e avokatit Kollçaku u aprovua nga trupi gjykues i këtij rasti.

KALLXO.com kishte raportuar edhe kur mbrojtja e të akuzuarve gjatë shqyrtimit fillestar kishte kërkuar hedhjen e aktakuzës.

Në gusht të vitit të kaluar ndodhi vrasja e dyfishtë në fshatin Shaptej të Deçanit pas një zënke mes kushërinjsh. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Shembet një objekt në Jabllanicë të Gjakovës, vdesin tre fëmijë

Shembet një objekt në Jabllanicë të Gjakovës, vdesin tre fëmijë

Kronika e Zezë
Dosja e Prokurorisë për planin e vrasjes në Pejë, grupi do të paguhej 30 mijë euro për vrasje e 7 mijë për plagosje

Dosja e Prokurorisë për planin e vrasjes në Pejë, grupi do të paguhej 30 mijë euro për vrasje e 7 mijë për plagosje

Drejtësi
Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!

Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!

Lajme
Çahet toka në kodrat e Porto-Romanos, banorët ngrenë dyshime

Çahet toka në kodrat e Porto-Romanos, banorët ngrenë dyshime

Lajme
Policia e Kosovës në veri përveç me objekt të ri bëhet edhe me 117 policë tjerë

Policia e Kosovës në veri përveç me objekt të ri bëhet edhe me 117 policë tjerë

Siguri
Gjuajtje me armë në Prishtinë, policia nis hetimet

Gjuajtje me armë në Prishtinë, policia nis hetimet

Kronika e Zezë
Kalo në kategori