LAJMI I FUNDIT:

Vetëvendosje ankohet në Gjykatën Supreme: LDK bëri vjedhje industriale të votave të diasporës

Vetëvendosje ankohet në Gjykatën Supreme: LDK bëri vjedhje industriale të votave të diasporës

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme duke kërkuar anulimin e rreth 19 mijë votave të LDK-së të ardhura me postë, me pretendimin se janë manipuluar.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi thotë se janë të bindur dhe “duke e dëshmuar me fakte e prova të pakontestueshme skemën kriminale të manipulimit me vota përmes postës, sot brenda afatit ligjor ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën e saj në lidhje me këtë proces”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së”, thuhet në njoftimin e LVV-së, transmeton Telegrafi.


LVV thotë se “vetëm përmes pranimit të ankesës sonë mund të rivendoset legjitimiteti i zgjedhjeve në Kosovë”.

“Faktet kanë dëshmuar për një vjedhje industriale të votave dhe presim nga Gjykata Supreme që të korrektojë vendimin e padrejtë të PZAP-së e të marrë vendimin e duhur për ta parandaluar një precedent të tillë në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

PZAP refuzon ankesën e LVV-së për anulimin e mbi 18 mijë votave me postë të LDK-së
Lexo po ashtu PZAP refuzon ankesën e LVV-së për anulimin e mbi 18 mijë votave me postë të LDK-së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dy ditë më parë i ka hedhur si të pabazuar ankesat e subjekteve politike të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe PDAK-LPB.

Në vendimin e PZAP-së thuhet se e ka hedhur si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, me të cilën ka kërkuar anulimin e rezultatit të votave me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kandidatëve të saj, saktësisht 18 mijë e 933 vota.

Më 15 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për votimet e 9 shkurtit, por vetëm pasi të kenë përfunduar afatet për ankesë në supreme, Komisioni mund të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve – duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.

Sipas rezultatit përfundimtar, LVV-ja prin me mbi 390,000 vota apo 42.30 për qind.

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga LDK-ja me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39,000 vota apo 4.26 për qind.

Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende./Telegrafi/