Zgjedhjet Lokale në Kosovë sollën disa përmbysje interesante, por disa bastione mbetën të pathyera – madje fituesit u bënë të ditur që më 12 tetor.

Derisa procesi zgjedhor komunal përfundoi më 9 nëntor dhe u përcaktuan fituesit në 17 komuna nga 18 sa shkuan në balotazh (pasi në Viti gara ende mbetet e hapur për shkak të votave me postë), raporton Telegrafi.


Partia Demokratike e Kosovës vazhdoi ta ketë si bastion Skenderajn, gjersa në këto zgjedhje garës iu rikthye Sami Lushtaku, pasi në vitin 2021 kishte kandiduar Fadil Nura – duke fituar qysh në raundin e parë me 83,36 për qind apo 13,042 vota.

Në këtë garë, Lushtaku kishte mposhtur Hysni Mehanin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kishte marrë 9,87 për qind, apo 1,544 vota.
Sokol Halili nga Iniciativa Qytetare për Skenderaj kishte marrë 6,77 për qind, përkatësisht 1,060 vota.

Bastion tjetër që nuk u thye është ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Istog, pasi Ilir Ferati doli triumfues me 59,06 për qind apo 11,854 vota.
Ferati ishte në garë me Ali Nimanajn e PDK-së (21,84%), Astrit Bujupaj nga LVV (13,32%) dhe Ukë Blakaj të AAK-së (5,78%).

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ia doli ta ruante Deçanin, pasi Bashkim Ramosaj fitoi me 50,98 për qind apo 8,645 vota.
Ramosajn e sfiduan Jeton Mushkolaj nga LDK (22,34%), Natyra Kuçi nga PSD (11,83%), Shkumbin Demalijaj nga Iniciativa Demokracia (8,65%), Faton Selmanaj nga LVV (5,17%) dhe Jetmir Prekalla nga PDK (0,86%).

Bastioni i vetëm që u thye në këto zgjedhje ishte ai i LDK-së në Fushë Kosovë, ku Besnik Osmani humbi nga Valon Prebreza i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili triumfoi me 54,99 për qind, ndërsa Osmani mori 45,01 për qind. /Telegrafi/