Venera Gashi: 169 raste të dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes gjatë fushatës, gratë mbeten më të ekspozuara

Venera Gashi, menaxhere e projekteve në organizatën D4D ka bërë të ditur se gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore lokale në Kosovë janë identifikuar 169 raste të dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes, ku kandidatët politikë kanë përdorur rrjetet sociale për sulme dhe manipulime ndaj kundërshtarëve.
Në “Përballje Podcast”, Gashi tha se D4D ka monitoruar komuna të përzgjedhura me kujdes, duke u siguruar që të përfshihen edhe ato ku në garë ka pasur kandidate gra, në mënyrë që të shihet qartë dimensioni gjinor i sjelljeve online gjatë fushatës.
“Kemi pasë disa komuna të caktuara të kryetarëve që i kemi monitoru dhe jemi siguru që të përfshijmë edhe komuna ku ka kandidate gra për me pa si shkon gara kur ka edhe gra në një komunë,” – shpjegoi ajo.
Sipas Gashit, D4D ka angazhuar një ekip prej pesë monitoruesish të rrjeteve sociale, të cilët kanë ndarë komunat dhe kanë ndjekur përditë aktivitetin e kandidatëve në Facebook, Instagram, TikTok dhe faqet e tyre zyrtare në ueb.
“Monitoruesit çdo ditë kanë hyrë në rrjete dhe i kanë analizuar postimet e kandidatëve gjatë gjithë fushatës. Çdo fundjavë kemi publikuar nga një infografikë me gjetjet e javës, që përfshinin rastet e dezinformimit dhe të gjuhës së urrejtjes,” tha Gashi në “Përballej Podcast”.
Ajo shtoi se në total janë evidentuar 169 raste, duke përjashtuar komentet e përdoruesve dhe duke analizuar vetëm përmbajtjen e postimeve origjinale nga vetë kandidatët dhe partitë politike.
“Në total i kemi gjetë 169 raste, kryesisht raste të gjuhës së urrejtjes, të sulmeve fetare, gjinore dhe politike. Janë përdorur për të sulmuar njëri-tjetrin, qoftë mes partive politike apo mes kandidatëve”, theksoi ajo.
Sipas saj, gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi janë përdorur si mjete elektorale për të ndikuar në perceptimin publik dhe për të dëmtuar kundërshtarët në mënyrë digjitale.
“Në shumë raste, postimet e kandidatëve vetë kanë qenë burim i manipulimit. Nuk janë thjesht komentet, por përmbajtje të ndërtuara për të krijuar perceptime të gabuara”, shtoi Gashi.
- YouTube www.youtube.com
Ajo paralajmëroi se mungesa e rregullimit të hapësirës digjitale gjatë fushatave dhe mosreagimi institucional i lë hapësirë të madhe gjuhës denigruese dhe dezinformimit.
“Kur nuk ka mekanizma që reagojnë ndaj përmbajtjeve të tilla, krijohet një realitet i deformuar në opinionin publik – dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në zgjedhje”, tha ajo.
Në fund, Gashi u shpreh se një nga gjetjet më shqetësuese ishte pabarazia gjinore në mbulimin mediatik, ku gratë kandidate kishin dukshëm më pak hapësirë dhe vëmendje sesa burrat në garë./Telegrafi/.


















































