Vendet e BE-së kërkojnë vend në tryezë për planin SHBA-Rusi për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Bashkimi Evropian po kundërshton një plan me 28 pika për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili thuhet se është hartuar pas dyerve të mbyllura nga SHBA-të dhe Rusia, duke kërkuar që çdo përpjekje diplomatike duhet të ketë Kievin dhe udhëheqësit evropianë në tryezë.
Plani, i raportuar për herë të parë nga media amerikane Axios, thuhet se përfshin kushte që do të ishin shumë të pafavorshme për Ukrainën, siç është dorëzimi i plotë i Donbasit, të cilin forcat ruse nuk kanë arritur ta kontrollojnë plotësisht, dhe kufizimet në forcat e armatosura.
Zbulimet dolën në prag të një takimi të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, ku lufta e agresionit e Rusisë dominoi agjendën, transmeton Telegrafi.
"Ajo që ne, si evropianë, kemi mbështetur gjithmonë është një paqe afatgjatë dhe e drejtë, dhe ne mirëpresim çdo përpjekje për ta arritur këtë", u tha gazetarëve të enjten në mëngjes Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
"Sigurisht, që çdo plan të funksionojë, duhen ukrainas dhe evropianë në plan. Kjo është shumë e qartë. Vladimir Putin mund ta përfundonte këtë luftë menjëherë nëse do të ndalonte bombardimin e civilëve dhe vrasjen e njerëzve, por nuk kemi parë asnjë lëshim nga pala ruse", shtoi ajo.
E pyetur nëse ka pasur ndonjë angazhim evropian në shkrimin e planit të raportuar, Kallas tha: "Jo me sa di unë".
Ministri i Jashtëm holandez David van Weel gjithashtu konfirmoi mospjesëmarrjen e Evropës.
"Jo, ne nuk kemi qenë të përfshirë në plan. Nuk e di nëse Ukraina ka qenë e përfshirë në plan", theksoi ndër tjera.
Por ajo që është e rëndësishme për ne është që çfarëdo plani paqeje që është në tryezë, Ukraina ta mbështesë atë”, shtoi van Weel.
Ndërkohë, Jean-Noël Barrot i Francës dhe Lars Løkke Rasmussen i Danimarkës bënë thirrje përsëri për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte si një pikënisje e domosdoshme.
Qëndrimi, i mbështetur gjithashtu nga Kievi dhe Uashingtoni, është refuzuar me vendosmëri nga Moska.
“Diskutimet duhet të fillojnë me një armëpushim në vijën e kontaktit që lejon negociata për çështjen e territoreve dhe për çështjen e garancive të sigurisë”, tha Barrot.
Rasmussen tha se ishte e rëndësishme të përcaktohej nëse “djemtë e mëdhenj”, që do të thotë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e mbështetën gjithashtu planin, i cili thuhet se po drejtohet nga Steve Witkoff, i dërguari i tij special për Lindjen e Mesme.
Witkoff është një figurë kontroverse në Ukrainë dhe Evropë për shkak të tendencës së tij për të përqafuar pa kritikë pikat e diskutimit të Kremlinit.
“Nuk mund t’i sjellësh paqe Ukrainës pa ukrainasit dhe evropianët. Ne duhet të mbrojmë Ukrainën", u tha Rasmussen gazetarëve.
Lajmi për planin SHBA-Rusi ka sjellë përsëri pyetje të pakëndshme nëse BE-ja rrezikon të lihet mënjanë në procesin e paqes, pavarësisht se është mbështetësi më i madh i luftës së Ukrainës për liri.
Që nga rizgjedhja e Trump, blloku është përfshirë dhe përjashtuar nga debati herë pas here, duke nxitur përshtypjen se amerikanët nuk interesohen për pikëpamjet e saj.
"Nuk e shoh tragjedinë e madhe", tha Kęstutis Budrys i Lituanisë, duke shtuar se Evropa do të merrte një rol aktiv në "fazën e re", nëse do të kishte një të tillë dhe do të mbronte parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial.
"Nëse ka diçka që lidhet me Evropën, ne jemi Evropa dhe duhet të diskutojmë se çfarë është Evropa dhe siguria jonë", shtoi Budrys.
Ndërsa raportet për planin 28-pikësh bënë tituj ndërkombëtarë, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, u përpoq të qetësonte shqetësimet perëndimore.
"Përfundimi i një lufte komplekse dhe vdekjeprurëse si ajo në Ukrainë kërkon një shkëmbim të gjerë idesh serioze dhe realiste", shtoi ai.
Dhe arritja e një paqeje të qëndrueshme do të kërkojë që të dyja palët të bien dakord për lëshime të vështira, por të domosdoshme. Kjo është arsyeja pse ne po zhvillojmë dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë një listë idesh të mundshme për t’i dhënë fund kësaj lufte bazuar në kontributin nga të dyja palët e këtij konflikti”, tha Rubio në mediat sociale. /Telegrafi/


















































