John Nolan, aktori britanik i njohur për rolet e tij në "Batman" dhe në serialin "Person of Interest", ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur të shtunën, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është konfirmuar.


Nolan ishte pjesë e dy filmave të mëdhenj të regjisorit Christopher Nolan: "Batman Begins" dhe "The Dark Knight Rises", ku interpretoi Douglas Frederick, një anëtar i bordit të kompanisë Wayne Enterprises.

John Nolan

Edhe pse rolet e tij nuk ishin kryesore, ai ishte pjesë e një prej trilogjive më të njohura të superheronjve në historinë e kinemasë.

Përveç kinemasë, ai u shfaq edhe në serialin e suksesshëm të CBS, "Person of Interest", krijuar nga Jonathan Nolan, ku luajti personazhin John Greer, një figurë e rëndësishme në zhvillimin e ngjarjeve të serialit.

John Nolan kishte një karrierë të gjatë dhe të respektuar në teatrin dhe televizionin britanik për shumë dekada, përpara se të fitonte vëmendje ndërkombëtare përmes projekteve të Hollywood-it.

Ai ishte gjithashtu xhaxhai i Christopher dhe Jonathan Nolan, një fakt që shpesh përmendet në lidhje me përfshirjen e tij në disa nga projektet e tyre të njohura.

Me ndarjen e tij nga jeta, industria e filmit dhe televizionit humbi një aktor me përvojë të gjatë dhe një figurë të respektuar të skenës britanike. /Telegrafi/