LAJMI I FUNDIT:

Vdekja e tre fëmijëve, Brahimaj: Tragjedi e madhe, dega e AAK-së në Gjakovë pezulloi aktivitetet politike

Vdekja e tre fëmijëve, Brahimaj: Tragjedi e madhe, dega e AAK-së në Gjakovë pezulloi aktivitetet politike

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, ka folur për ngjarjen tragjike që ndodhi në Jabllanicë të Gjakovës, ku humbën jetën tre fëmijë pas shembjes së një objekti.

Brahimaj ka theksuar se objekti, i cili ishte një dyqan privat para luftës, ishte djegur më 1998 dhe familja kishte dashur ta ruante si një dëshmi të periudhës së luftës.

Sipas tij, fëmijët kanë hyrë për të luajtur dhe tragjedia ka ndodhur në sekonda.


Ai ka shtuar se, edhe pse ekipi i rendit ka arritur në vendin e ngjarjes rreth orës 22:00, ishte shumë vonë për të shpëtuar fëmijët.

“Prindërit po mundohen të jenë të fortë, por tragjedi e madhe për të gjithë shqiptarët. Objekti ka qenë një dyqan privat që ka egzistu para lufte, dhe më 3 gusht 1998 është djegur, familja ka dashur ta ruaj si dëshmi nga lufta. Fëmija kanë hyrë të luajnë, dhe diku në ora 16:35 minuta ka ndodhur rasti, meqë është në dalje të fshatit pothuajse askush nuk e  ka parë. Në mbrëmje kanë filluar t’i kërkojnë dhe diku rreth orës 22:00 është gjetur vendi janë thirrur organet e rendit, të gjitha ekipet kanë qenë në vendin e ngjarjes pastaj, por ka qenë shumë vonë”, ka deklaruar ai.

“Objekti kishte qenë në gjendje të mirë dhe kishte gjemba rrethor. Megjithatë, kureshtja e fëmijëve ka shkaktuar apo ku di, është një ngjarje e pashpjegueshme”, ka theksuar ai.

Brahimaj, i cili ka pasur dy prej prindërve të fëmijëve viktima si bashkëluftëtarë, e ka konsideruar këtë një detyrim moral për të pezulluar aktivitetet politike dhe për të qenë pranë familjeve në këtë periudhë të vështirë.

“Edhe dega e Aleancës në Gjakovë ka vendosur të pezulluar aktivitetet politike për t’iu solidarizuar me këto familje”, ka potencuar Brahimaj.