Plagët fizike dhe psikologjike te të lënduarit nga zjarri i rëndë në diskotekën “Puls” në Koçan vazhdojnë të kërkojnë kohë dhe trajtim të kujdesshëm.

Gjithsej 143 persona të lënduar kanë kaluar nëpër rivlerësim nga një ekip i zgjeruar mjekësh specialistë nga Spitali i Përgjithshëm i Koçanit dhe klinikat në Shkup, të përfshirë drejtpërdrejt në mjekimin dhe rehabilitimin e të rinjve nga Koçani dhe komunat përreth.
Sipas të dhënave fillestare, te një pjesë e madhe e pacientëve trajtimi mjekësor ka përfunduar.


Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm të Koçanit, Katerina Paniq Mirçevska, tha se bëhet fjalë kryesisht për persona që kanë pasur lëndime më të lehta dhe janë shtruar për periudhë të shkurtër në spital. Nga spitali janë ftuar të gjithë pacientët që kishin marrë pjesë në vlerësimin e parë, ndërsa në rivlerësim janë paraqitur 143 persona.

“Ky është një proces dinamik që nuk ndalet. Pacientët nuk janë lënë pas dore dhe nuk janë harruar. Ndjekja është e vazhdueshme dhe, varësisht nga nevojat, disa do të ndiqen nga pneumologët, ndërsa ata që kanë nevojë për trajtime të plagëve dhe korrigjime dermatologjike do të trajtohen nga Klinika e Dermatovenerologjisë,” theksoi Mirçevska.

Aktualisht, në spitalin e Koçanit 20 deri në 30 të lënduar ndjekin terapi fizikale. Një pjesë e pacientëve, të cilët janë kthyer në punë apo në arsim, terapinë e vazhdojnë edhe në spitalin e Shtipit, në Spitalin e Qytetit “8 Shtatori” dhe në Klinikën e Sëmundjeve të Mushkërive në Kozle, Shkup.

Për pacientët që kanë nevojë për korrigjime të plagëve në trup apo fytyrë jashtë vendit, vendimi do të merret nga një konsilium mjekësh. Sipas Mirçevskës, do të përgatitet një plan më i gjerë për të përcaktuar nëse specialistët do të vijnë në Maqedoni apo pacientët do të dërgohen në qendra të specializuara jashtë shtetit, varësisht nga mundësitë dhe nevojat konkrete.

Në procesin e mjekimit dhe rehabilitimit janë përfshirë edhe specialistë të huaj: mjekë të terapisë fizikale nga Mbretëria e Bashkuar dhe kirurgë plastikë nga Belgjika, të cilët gjatë këtij muaji do të kryejnë një rivlerësim të ri për të përcaktuar hapat e mëtejmë të trajtimit.

Njëkohësisht, po ndiqet edhe gjendja e pacientëve me dëmtime pulmonare si pasojë e thithjes së tymit. Disa prej tyre e kanë përfunduar trajtimin në Jasenovë. Autoritetet shëndetësore theksojnë se pacientët janë të informuar se, në rast të çfarëdo problemi shëndetësor, mjekët mbeten në dispozicion të tyre.

Procesi i shërimit vazhdon, ndërsa institucionet shëndetësore theksojnë se kujdesi për të lënduarit do të jetë afatgjatë dhe i pandërprerë.