LAJMI I FUNDIT:

Live

Postet:

Live Tensionet në veri

Situata në veri, SHBA-të kërkojnë veprime të përgjegjshme nga Kosova dhe Serbia

Përditesuar 01/06/2023 07:15

Sot (e enjte), serbët lokalë në veri të Kosovë do të vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë.

Protestat po mbahen në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.


Kërkesat e tyre janë që këta kryetarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe, ashtu si edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

Gjatë një adresimi më 31 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i refuzoi ato, por la të hapur mundësinë për zgjedhje të reja lokale.

Policia e Kosovës dje njoftoi se protesta ishte e qetë fillimisht por në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policorë ka pësuar lëndime.

“Po ashtu gjatë protestës së realizuar sot, disa media/gazetarë janë penguar e sulmuar, si dhe automjetet e tyre ishin vandalizuar nga individ/grupe kriminale. Pengimi i gazetarëve në detyrë cenon të drejtën e shprehjes, informimit dhe lirinë e shtypit”, njoftoi policia.

Serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Telegrafi edhe sot gjatë tërë ditës do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet në veri. /Telegrafi/
Postet:
Mbylle
01/06/2023 15:33

Mes tensioneve në veri, Kurti takon ambasadorin Hovenier

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur këtë të enjte në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Lajmin për Telegrafin e kanë konfirmuar nga Qeveria e Kosovës, teksa kanë thënë se është takim i rregullt javor.


Ky takim vjen në kohën kur situata në veri është tensionuar.

Tensionet në atë pjesë të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

E SHBA-ja e kritikoi Qeverinë Kurti për veprimet e saj dhe e sanksionoi Kosovën me mospjesëmarrje në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”.

Ndryshe, kryeministri Kurti gjatë ditës në një deklarim për media, i pyetur për raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, ka thënë se ato janë shkëlqyeshme, mirëpo ka raste kur dallojnë në qasje.

01/06/2023 15:17

Blinken nga Olso kërkon nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet në veri

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka folur sërish për situatën në veri të Kosovës.


Nga Oslo, Blinken u kërkoi krerëve të Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të ndërmarrin masa për të ulur tensionet, duke paralajmëruar se ata po rrezikojnë aspiratat e integrimit evropian.

Ai tha se shumë aleatë shprehin shqetësimin për rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës dhe i dënojnë fuqishëm sulmet e fundit ndaj KFOR-it, kolegëve tanë italianë dhe hungarezë që u lënduan në atë sulm.

“Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet. Normalisht se ne mbështesim procesin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe Serbisë, por situata aktuale e pengon dhe s’e ndihmon lëvizjen në atë drejtim”, u tha Blinken gazetarëve.

Blinken ka reaguar edhe më herët, duke kërkuar nga Kosova që të mos hyjë me forcë në objektet komunale në komunat verore.

Reagimet ndërkombëtare erdhën pas aksioneve të Policisë së Kosovës, më 26 maj, në tri komunat në veri të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për të siguruar qasjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të këtyre tri komunave.

01/06/2023 14:59

Policia thotë se sulmi ndaj dy shqiptarëve në veri u krye nga një grup kriminelësh – të njëjtit pranuan tretman mjekësor

Policia e Kosovës ka konfirmuar sulmin ndaj dy qytetarëve shqiptarë sot në veri të Mitrovicës.


Përmes një njoftimi për media, policia bëri të ditur se të dy qytetarët kanë qenë duke qëndruar në hyrje të sheshit në veri të Mitrovicës, ku pastaj janë sulmuar nga një grup kriminelësh të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer.

“Njësitet policore kanë intervenuar menjëherë për të parandaluar sulmin, përderisa personat e dyshuar kanë ikur në drejtime të ndryshme të qytetit. Si pasojë e sulmeve dy viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.

Policia shton se aktet e tilla kriminale, nuk i shërbejnë sigurisë dhe qetësisë publike, iu shërbejnë vetëm individëve apo grupeve të caktuara kriminale.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saja policore, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi”, thuhet në njoftim.

01/06/2023 14:31

Sveçla: Protestuesit po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre, këto taktika duhet të ndalen

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha të enjten se pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre.

Sipas tij, haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë.


Ai tutje u shpreh se serbët e Kosovës në vazhdimësi janë nën trysni dhe kërcënime që të kryejnë veprime jashtë vullnetit të tyre.

“Pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë. Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë”.

“Kjo mund të nënkuptojë kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave”, shkroi Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

Ministri tutje u shpreh se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.

“Dënojmë ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi të Beogradit. Këto taktika duhet të ndalen që qytetarët serbë të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime”, përfundoi ai.

01/06/2023 14:02

Kurti: Nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka hequr dorë nga vendimi që kryetarët e komunave veriore të ushtrojnë detyrat në objektet komunale, pavarësisht situatës së krijuar në veri.


Kurti ka thënë se kryetarët e zgjedhur atje janë legal dhe mandatin duhet të ushtrojnë në bazë të kompetencave të tyre.

“Nuk duhet të ketë paralelizma në veri, nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele”, ka thënë ai para gazetarëve.

Ndërsa lidhur me raportet me ShBA-të, Kurti ka thënë se ato janë të shkëlqyeshme mirëpo ka raste kur dallojnë në qasje, e cila sipas tij nuk është thelbësore./kp/

01/06/2023 13:58

Sulmohen dy shqiptarë në veri të Mitrovicës

Dy shqiptarë janë sulmuar sot nga një grup serbësh në veri të Mitrovicës.


Kështu u bë e ditur nga Policia për KosovaPress. Në vendin e ngjarjes ka dalë Policia.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni./KP/

01/06/2023 13:47

Shpërndahen të qetë qytetarët që ishin mbledhur tek Ura e Ibrit

Qytetarët që ishin mbledhur për të protestuar në jug të Mitrovicës, konkretisht tek Ura e Ibrit, janë shpërndarë të qetë.


Protesta e tyre ka zgjatur vetëm pak minuta. Ata ishin mbledhur pas thirrjeve që të mërkurën ishin bërë nga profile të ndryshme në rrjete sociale.

Policia e Kosovës dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kanë bërë thirrje që kjo protestë të bojkotohet.

01/06/2023 13:35

Pjesëtar me simbole të grupit Wagner janë parë në protestën e sotme në Zubin Potok

Në tri komunat në veri të Kosovës, edhe sot janë duke vazhduar protestat e serbëve lokalë kundër zgjedhjes së kryetarëve të rinj nga radhët e shqiptarëve në këto komuna.


Ashtu si në ditët e para në mesin e protestuesve ka pasur edhe grupe kriminale serbe, të cilët kanë sulmuar gazetarët, policët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it.

Në mesin e këtyre personave ka pasur edhe njerëz të maskuar dhe pjesëtarë të cilët kanë pasur të veshur bluza me simbolin “Z” që e karakterizon grupin mercenar rus Wagner.

Pamje që tregojnë dhunën e grupeve kriminale serbe ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Edhe gjatë ditës së sotme në Zubin Potok, janë vërejtur në mesin e protestuesve edhe pjesëtarë të këtyre grupeve kriminale. Kjo është dëshmuar në një fotografi që ka siguruar Telegrafi nga vendi i ngjarjes ku po zhvillohet protesta.

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia është pyetur pikërisht për mercenarët rus, pjesëtarët e Brigadës Wagner, për të cilët u tha se janë nisur për në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it bëri të ditur se deri më tani nuk ka asnjë dëshmi për praninë e tyre në këtë zonë.

Ndryshe të hënën në veri, grupet e tilla kriminale serbe sulmuan ushtarët e KFOR-it, ku për pasojë 30 prej tyre kanë mbetur të plagosur.

Cak i sulmeve të këtyre grupeve tash e pesë ditë janë edhe mediat e ndryshme të cilat po raportojnë për ngjarjet në veri të Kosovës

01/06/2023 13:04

​Abdixhiku takoi ambasadorin francez: Koordinimi me aleatët, i domosdoshëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale në veri të vendit.


Abdixhiku e ka shprehur qëndrimin e LDK-së duke theksuar domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve me aleatët ndërkombëtar.

“Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Guérot për qëndrimet e LDK-së karshi kësaj situate, duke theksuar domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës me aleatët tanë si parakusht i stabilitetit afatgjatë”, ka njoftuar LDK.

Kreu i LDK-së gjithashtu ka theksuar nevojën e mbështetjes ndaj institucioneve të rendit në Kosovë, me qëllim të garantimit të sigurisë së institucioneve dhe të qytetarëve përballë rrezikut të dhunës së krijuar nga bandat kriminale në veri të vendit

01/06/2023 12:55

Vuçiq konfirmon se do të takohet me Macron dhe Scholz

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka konfirmuar se gjatë ditës së sotme do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Vuçiq derisa theksoi se nuk e di se kush do të vijë nga Kosova, u shpreh sdo të përpiqen të bëjnë më të mirën për t’i kthyer gjërat në normalitet.


Ai ka folur edhe për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës, për çka ka thënë se kjo varet nga të dy palët.

Këto komente presidenti serb, Aleksandër Vuçiq i bëri në margjinat e Samit të dytë të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi.

“Nuk e di kush do të vijë nga Prishtina, por pa dyshim që do të takoj Scholz-in dhe Macron-in dhe ky do të jetë një diskutim shumë i rëndësishëm për ne”, u shpreh Vuçiq.

Edhe pse vet i shtyu serbët që të mos jenë pjesë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për komunat veriore, Vuçiq përsëriti se me 3.4% nuk janë zgjedhje legjitime.

Ai tha se Kosova nuk është dahsur të dërgoj Njësinë Speciale në komunat në veri të vendit, derisa shpifi se gjoja “maltreton dhe persekuton qytetarët”, kur dihet se Policia e Kosovës po qëndron kryesosht brenda objekteve komunale dhe është KFOR-i jashtë.

01/06/2023 12:43

Kovaçevski: Paqja në Kosovë është paqe për të gjithë Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, ka folur për situatën në veri të Kosovës. Ai tha se paqja në Kosovë nënkupton paqe për të gjithë rajonin.


Kryeministri i RMV-së bëri thirrje që Kosova dhe Serbia t’u përmbahen marrëveshjeve tashmë të arritura.

“Paqja në Kosovë është gjithashtu paqe për Ballkanin Perëndimor. Mendoj se koha e konflikteve është shumë larg pas nesh, kështu që zbatimi i marrëveshjeve të bëra tashmë mes Kosovës dhe Serbisë si dhe aneksi për planin e zbatimit duhet të jenë imperativ për të gjithë politikanët nga të dy vendet”.

“Ne bëjmë thirrje për de-përshkallëzim të situatës dhe për vazhdimin e komunikimit mes dy palëve me ndihmën e SHBA-ve dhe BE-së”, tha Kovaçevski.

01/06/2023 12:42

Rama takon Vuçiqin: Konflikti në veri duhet të zgjidhet krah për krah me botën demokratike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka takuar sot Presidenti serb Aleksandar Vuçiq gjatë organizimit të takimit të dytë të Komitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Moldavi.


Të pranishëm ishin edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe lider të tjerë evropian.

“Rajoni duhet të hyjë në një marrëdhënie të re me BE-në, ndërkohë që konflikti në Veriun e Kosovës duhet të zgjidhet krah për krah me botën demokratike, duke u dhënë fund absurdit kërcënues e duke finalizuar marrëveshjen e normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë”, Rama tha në një postim në Facebook.

Më herët, Vuçiç shkroi pas takimit me Ramën se duhet bërë çdo përpjekje për të ruajtur paqen që kanë fituar me mund dhe gjatë takimit kishin biseduar për gjetjen e një zgjidhje sa i takon situatës aktuale në Veri.

“Ne në rajon e dimë më së miri se sa e rëndësishme është që së bashku të bëjmë çdo përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e fituar me mund. Biseduam për ngjarjet aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën aktuale, të vështirë dhe të rëndë, me shpresën se arsyeja do të mbizotërojë, në të mirë të të gjithëve”, tha ai në Instagram.

01/06/2023 12:39

Numër më i vogël i protestuesve në Zveçan

Numri i protestuesve në Zveçan sot është më i vogël, krahasuar me ditët e tjera.


Situata është e qetë, shkruan KosovaPress

Në tri komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, serbët po protestojnë edhe sot.

Dje, në Zveçan situata herë pas here është tensionuar, ndërsa nuk kanë munguar sulmet ndaj ekipeve të gazetarëve.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

01/06/2023 12:22

Protestuesit në jug këndojnë “Jo nuk ndahet Mitrovica”

Qytetarët që janë mbledhur në jug të Mitrovicës për të protestuar kanë nisur duke kënduar “jo nuk ndahet Mitrovica”.


Ata kanë vazhduar me brohoritma “Mitrovica, Mitrovica”, “O sa mirë me qenë shqiptar” .

Qytetarët po vazhdojnë duke kënduar këngë të tjera si “për Kosovë jetën dojm me dhanë”.

Nuk kanë munguar as thirrjet “UÇK, UÇK”.

Policia ndërkaq ka krijuar një kordon para protestuesve.

01/06/2023 12:15

Ndonëse u bë thirrje që për mospjesëmarrje, qytetarët mblidhen tek Ura e Ibrit

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në afërsi të Urës së Ibirit në Mitrovicë, për të marrë pjesë në protestën e cila u thirr në rrjetet sociale nga profile dhe persona deri tash të pa njohur.


Ndonëse Policia e Kosovës dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla u bëri thirrje qytetarëve që të shpërfillin këto thirrje, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Në vendin ku janë grumbulluar qytetarët, kanë dalë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Shumë prej qytetarëve shihem me flamujt “Autochthonous” dhe atë kombëtar.

Njëri prej qytetarëve ka thënë se me ardh puna edhe pa bukë edhe pa ujë rrimë, dhe ne do të shkojmë në mënyrë paqësore.

Disa të tjerë janë dëgjuar duke thënë se “nuk ka kthim mbrapa”.

Autoritetet e sigurisë po dyshojnë se kjo protestë është “organizuar” nga persona të dyshuar jashtë Kosovës.

01/06/2023 11:57

Replikat ndaj deklaratës së Blinken, deputeti i LDK-së: Zoti na ruajt, këta nuk dinë çfarë bëjnë

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se pushtetarët në Kosovës nuk dinë çfarë bëjnë, duke shtuar se ata në sinkron po replikojnë me sekretarin amerikan Antony Blinken.


Ai ka shtuar se ushtarët amerikan janë çdo ditë në veri, si pjesë e KFOR-it, duke e siguruar paqen.

“Para një kohe, vetë kreu i qeverisë kishte deklaruar se Ambasadori Amerikan e kishte informuar për gjëra lidhur me zhvillimet në veri që ai nuk i kishte ditur, edhe pse AKI-ja është në teren dhe e ka për detyrë të kuptojë se çfarë ndodh e çfarë pritet.

Ndërsa, pushtetarët e Kosovës në sinkron replikojnë me Sekretarin Blinken se ai është naiv e nuk është i informuar për kontekstin politik në veri. Zoti na ruajtë, se këta nuk dinë çfarë bëjnë”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe LDK pëmes një komunikate ka thënë se sulmet e bandave kriminale të drejtuara ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve raportues e ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, institucioneve tona e vet trupave të NATO-s me mision në Kosovë.

01/06/2023 11:40

Gjermania dhe Franca ndërmjetësojnë në krizën e Kosovës

Kancelari Scholz e presidenti Macron duan të ndërmjetësojnë në konfliktin e ashpërsuar ditët e fundit në Kosovë. Në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian ata takohen me presidenten Osmani e presidentin Vuçiq.


Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebelstreit bëri të ditur në Berlin se në kuadër të samitit të dytë të Komunitetit Politik Europian, që zhvillohet të enjten në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, kancelari gjerman, Olaf Scholz do të zhvillojë bisedime së bashku me presidentin francez, Macron me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin Vuçiq për gjendjen aktuale në veriun e Kosovës.

Scholz dhe Macron zhvillojnë bisedime edhe me presidentin Vuçiq, i cili para samitit në Kishinau ka thënë se hapi i parë për uljen e tensioneve do të ishte tërheqja e “gjoja kryetarëve” të komunave nga veriu. Ai i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të tërheqin kryetarët e bashkive. Ky hap do të ishte hapi më i fuqishëm, ka kërkuar Vuçiq.

Presidenti francez, Emmanuel Macron në kuadër të takimit në Kishinau e ka quajtur zhvillimin e zgjedhjeve lokale në veri një gabim. Macron ka thënë, se ka një përgjegjësi të qartë të autoriteteve kosovare për situatën aktuale.

Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani, deklaroi se shtetet aleate duhet të ndihmojnë në ndaljen e veprimeve destabilizuese të Serbisë në veri, derisa shtoi se duhet të kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel.

Ajo, në Samitin e liderëve evropianë në Moldavi, deklaroi se është e rëndësishme të takohet me liderët evropianë për t’iu shpjeguar se çka po ndodh aktualisht në veri. Osmani tha se nuk e ka në plan që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. /DW/

01/06/2023 11:28

Kryeministri i Kroacisë flet për situatën në veri, tregon se si e sheh qëndrimin e Kosovës në raport me Serbinë

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, gjatë një përgjigjeje në një pyetje rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë ka thënë fillimisht se dëshirojnë të shohin stabilitet dhe zgjidhje të shpejtë të situatës në veri të Kosovës, ku u plagosën disa pjesëtarë të KFOR-it.


“E dyta është se jemi të vetëdijshëm për situatën delikate. Mënyra se si unë e kuptova në disa aspekte qëndrimin e lidershipit të Kosovës në raport me Beogradin, apo me Serbinë në përgjithësi, do ta përmbledh në tri fjalë: kërkim falje për agresionin e Millosheviqit, njohje, dhe pastaj normalizim”, ka thënë Plenkoviq, përcjell Telegrafi.

Në të njëjtën kohë, ka shtuar ai, cilido lider politik në Serbi që do e njohë Kosovën, nuk do të ketë shumë perspektivë karriere në politikë atje andaj edhe kjo e bën zgjidhjen shumë të komplikuar.

Deklaratat e tij të fundit, kryeministri kroat i ka dhënë në Forumim “Globsec 2023” në Bratisllavë të Sllovakisë.

Dhe deklaratat e tij vijnë pasi protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave.

“Pra, ajo që duhet të bëjmë është të lehtësojmë bisedimet, të qetësojmë situatën menjëherë dhe të gjejmë zgjidhje se si pjesa veriore e Kosovës, ku serbët janë shumicë, të cilët bojkotuan zgjedhjet kohët e fundit, mund të marrin pjesë në procesin demokratik. Kjo është thelbësore, pa pjesëmarrje në procesin demokratik nuk do të dërgoni sinjale të ndërtimit të besimit dhe bashkëjetesës në një pjesë shumë të vogël të vendit”, ka thënë më tej kryeministri kroat.

01/06/2023 11:20

Arrestohen tre serbë në Zveçan, bashkë me disa persona të tjerë ndalonin veturat në rrugë

Tre serbë janë arrestuar të mërkurën në Zveçan, pasi në bashkëveprim me disa persona tjerë, në rrugë kanë ndaluar disa automjete.


Policia njofton se të njëjtit dyshohen për veprën penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”.

“Zveçan 31.05.2023 – 00:30. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj serbë, pasi që të njëjtit në bashkëveprim me disa persona tjerë, në rrugë kanë ndaluar disa automjete”, thuhet në raportin policor.

Tre të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

01/06/2023 11:14

Osmani: S’kam plan të takohem me Vuçiqin, aleatët të na ndihmojnë në ndaljen e veprimeve destabilizuese të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po merr pjesë në Samitin e liderëve evropianë në Moldavi, tha se nuk e ka në plan që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.


Në një deklarim për media, Osmani deklaroi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë organizohet në Bruksel dhe i takon Bashkimit Evropian që të përcaktojë datën kur është e domosdoshme që të bëhet një takim i tillë.

Ajo po ashtu u shpreh se shtetet aleate duhet të ndihmojnë në ndaljen e veprimeve destabilizuese të Serbisë në veri, derisa shtoi se duhet të kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel.

“Ne si rajon e në veçanti si Kosovë jemi vazhdimisht përball sfidës së ndikimeve hibride që Rusia dhe satelitët e saj janë duke tentuar që t’i shtyjnë përpara për ta destabilizuar Evropën. Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë. Unë jam këtu për të kërkuar përkrahjen e partnerëve tanë për t’i luftuar këto tendenca si dhe të parandalohet ndikimi i këtyre tendencave dhe propagandës. Vuçiqi është i interesuar që përmes bandave kriminale të destabilizojë vendin, s’duhet të lejohet një gjë e tillë… Prandaj, koordinimi me aleatët tanë është shumë i rëndësishëm”.

Gjatë këtij samiti, presidentja tha se do të ketë takime me shumë liderë evropianë, teksa theksoi se është e rëndësishme të takohet me ta për t’iu shpjeguar se çka po ndodh aktualisht në veri.

“Përveç presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, kam takime me pothuajse të gjithë liderët që marrin pjesë në këtë samit. Është me rëndësi që të kërkojmë përkrahjen e tyre për aplikimin e Kosovës në BE dhe ecjen përpara në Këshill të Evropës, por edhe të shpjegojmë në detaje se çka po ngjan në veri të Kosovës. Një numër i madh i liderëve kanë shprehur interesim për t’u takuar në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për shtensionimin e situatës. Po ashtu, do të kërkoj ndihmën e tyre që t’i luftojnë grupet kriminale në veri që po destabilizojnë vendin tonë”, shtoi Osmani.

“Është me rëndësi që nga Serbia të kërkohet t’i ndalë veprimet destabilizuese dhe bandat e saj kriminale. Këto janë grupe që janë në listën e zezë të SHBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Ata po terrorizojnë edhe qytetarët serbë çdo ditë. Na duhet ndihma e aleatëve të jemi më të fokusuar në luftimin e grupeve, por urdhri ndaj tyre vjen nga Vuçiqi. Dihet mirë kush i nxit ato të përdorin dhunë në Kosovë, pra presioni duhet të jetë te Beogradi që ta ndalin dhunën… Kur ka dhunë, çdo zgjidhje përpara mund edhe të fokusohet në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit”, përfundoi ajo.