LAJMI I FUNDIT:

Varret bosh në Kompleksin e Mejës, familjarët rrëfejnë tmerrin e masakrës

Varret bosh në Kompleksin e Mejës, familjarët rrëfejnë tmerrin e masakrës

Kujtimet e familjarëve për ditën e trishtë të 27 prillit janë të freskëta. Vendi ku u masakruan mbi 370 burra e djem, është dëshmia më e fuqishme e krimit të Serbisë. Për disa prej tyre kanë mbetur boshë varret e vijëzuara, me shpresën se ndonjëherë do të mund të gjenden trupat e tyre. Mallin po e largojnë vetëm me fotografitë e tyre në varr. Mes lotëve e kujtimeve të trishta që kanë për ta, sot familjarë të të rënëve në Mejë të Gjakovës kanë kujtuar të afërmit e tyre.

Shaqir Beqajn nga fshati Rracaj e ka goditur rënd lufta e fundit. Ai ka katër vëllezërit, tre djem të vëllezërve dhe shtatë kushërinj të masakruar.


Qëndron pranë varrit të vëllait dhe shikon hapësirën boshë të djalit për të cilin nuk dihet gjë, as pas dy dekadave.

“E rëndë është, e sheh vendin thatë këtu te baba afër. Por po duhet me u pajtua me fatin. Inshallah Zoti na ndihmon të gjithëve dhe e bën mirë. E inshallah këta të tonët i hapin sytë”, thotë ai mes lotëve.

Ai tash e sa vjet po kërkon drejtësi për 13 anëtarët e familjes që i janë vrarë. Por, kjo po mbetet vetëm një kërkesë e tij dhe shumë familjarëve të fshatit Mejë.

“Po bëjë seri prej këtyre të tonëve, se prej Serbisë nuk kemi pasur kurrë të mira. E, këta si në gjumë duke punuar. E gjithë kjo masakër që është bërë në këtë vend, mos me dënua asnjërin prej tyre. E kur të shkojnë në mbledhje i fusin ‘veshtë në lesh’. Mos me fol një fjalë e as mos me shkua të përgatitur, me u dënua populli jonë e ata me qenë të lirë”, shprehet Beqaj.

Ulësen e ka marrë me vete, për të qëndruar për disa orë pranë varrit të djalit të saj. Atë nuk e pa që nga mosha 27 vjeçare, e moshuara Azize Gaxherri po jeton me mallin për të.

“Në Mejë na i kanë ndal, sikur të gjithë. Veç inshallah e bën Zoti mirë… 27 vjet, e ka lënë nusen, pa fëmijë. Çka me bë tash, nënën gjallë. Inshallah bëhet mirë. Se për këtë Kosovë janë shkua… Vallahi pak, pak kanë bërë shumë, se veç janë ka shikojnë për gjepa të vet… Nuk ka ma zor për neve”, tregon ajo për KosovaPress.

80 vjeçarit, Osman Xhemajli lufta ia mori dy djemtë, babën, tre vëllezërit dhe gjashtë nipa. Tregon se si ishte njoftuar se kishin gjetur eshtrat e trupave të djemve të tij.

“Shoqata ’27 prilli’, më kanë bërë zë edhe më kanë thënë të ka dalë djali në mal. Pas 8 vjetësh ka dalë i dyti. Kam qenë në Prishtinë edhe më kanë thirr, e kemi gjet a donë me i pa, nuk është bash komplet trupi. Ju thash nuk dua me këqyr, çka me këqyr. Shumë zor është, po çka me bë… Qeveria s’është e interesuar për ato sene, është e interesuar për karrige. Ata e kanë të parën dorë, se për popullin e Kosovës nuk janë të interesuar asnjë grimë”, shprehet me shumë zhgënjim ai.

Lanë Bardhecaj kishte parë tmerrin me sy. Të gjithë këto i kishte dëshmuar edhe për EULEX-in, por që 22 vjet pas kësaj masakre, nuk ka drejtësi.

“Masakra ka qenë e hatashme, se unë vet i kam rënë me këmbë ksajde. Me 40 anëtarë të familjes, çka kanë dit ata të bëjnë, veç Zoti lartë. Unë jam ai që i kam pa krejt me sy të mi. Qysh i kanë marrë, qysh kanë marrë fëmijët e vegjël, qe ku e kam çikën, prej dorës ia kanë marrë nënës të vet ia kanë gjuajt në tokë. Babën ja kanë ndal, fëmijën e kanë lëshuar. Shenjë të tyre vetëm këtë fëmijë e kemi. Se nuk e kanë lënë dikën. Masakra ka qenë e hatashme, veç Zoti bëftë rahmet”, rrëfen ai.

Ai shprehet i zhgënjyer me institucionet për gjendjen e kompleksit në Mejë.

“Me mbet kështu është gjynah. Gjaku i tyre mundet me na nëm. Veç kthehu edhe lëshoja sytë, i kanë vendos do hekura që 22 vjet po bëhen pa u punua kurgjë hiç. Asnjë send nuk është punua këtu. Prej fillimit deri në mbarim, jemi të zhgënjyer për së tepërti”, shton Bardhecaj.

Kosova ende nuk din për fatin e më shumë se 1 mijë e 600 personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Ndryshimi i motit, IHMK njofton për shi dhe borë

Ndryshimi i motit, IHMK njofton për shi dhe borë

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Kalo në kategori