‘Varet në një fije’, zbulohet realiteti brutal i shkarkimit të Xabi Alonsos nga Real Madridi

Xabi Alonso e ka shmangur shkarkimin pas humbjes ndaj Manchester Cityt, por sipas raportimeve, ai është paralajmëruar se çdo paraqitje e dobët në javët në vijim mund t’i kushtojë vendin e punës si trajner i Real Madridit.
Humbja e së mërkurës pritej t’i jepte fund aventurës së tij të shkurtër në “Santiago Bernabeu”, por drejtuesit e klubit thuhet se u larguan të kënaqur me mënyrën si luajti ekipi dhe me mbështetjen publike që disa nga lojtarët kryesorë i dhanë trajnerit.
Tani gjithë vëmendja është te sfida e së dielës ndaj Alavesit. Çdo hap prapa mund ta rikthejë kokën e Alonsos “në trung”, por “AS” shkruan se presioni do të mbetet i njëjtë edhe nëse arrihet një rezultat pozitiv.
Vendimmarrësit në Madrid kanë ende shqetësime serioze për drejtimin që po merr skuadra dhe për shkëputjen nga tifozët – shumë prej tyre fishkëlluan ekipin pas humbjes me Cityn dhe besohet se fitoret janë e vetmja gjë që do ta mbajë Alonson në stol në ndeshjet e ardhshme.
Pritet një fitore e lehtë kundër Alavesit, ashtu si edhe kalimi pa telashe në fazën e 1/32 të Kupës së Mbretit kundër ekipit të kategorisë së tretë, CF Talavera. Më pas vjen një Sevilla në mes të tabelës dhe drejtuesit madrilenë mendojnë se asgjë më pak se tre fitore bindëse në këto tri ndeshje nuk do të ishte e pranueshme.

Paraqitjet e dobëta ose reagimet e zemëruara të tifozëve në cilëndo nga këto ndeshje mund ta vulosin shkarkimin e Alonsos.
“The Athletic” raporton se Madridi dëshiron ta mbajë Alonson, por ekzistojnë shqetësime serioze për drejtimin e ekipit dhe për vështirësitë e tij për ta rikthyer situatën nën kontroll.
Megjithatë, ka bindje se problemet e Madridit nuk lidhen vetëm me Alonson. Lëndimet e shumta e kanë komplikuar situatën, ndërsa rënia në formë e yjeve si Vinicius Junior dhe Rodrygo daton para ardhjes së tij në verë.
Edhe pse Madridi shpreson që Alonso ta kthejë situatën, klubi veçse ka filluar të shikojë alternativa. Trajneri i Castillas, Alvaro Arbeloa, vlerësohet shumë nga drejtuesit.
Ish-trajneri Zinedine Zidane, që mbetet afër presidentit Florentino Perez, është zgjedhje e preferuar nga tifozët, por besohet se francezi ende po pret mundësinë për të marrë drejtimin e kombëtares së tij./Telegrafi













































