Në kuadër të Turneut Dimëror Pro Liga – Edicioni i Parë, vajzat e KFV Prishtina U11 shënuan një moment të rëndësishëm për futbollin e vajzave në Kosovë, duke u bërë i vetmi ekip i vajzave që garon në këtë ligë së bashku me bashkëmoshatarët e tyre.

Debutimi i tyre nuk ishte vetëm simbolik. Në ndeshjen e parë kundër ekipit të Vllaznimit të Gjakovës, vajzat e KFV Prishtina treguan lojë të organizuar, disiplinë dhe vetëbesim, duke triumfuar bindshëm me rezultat 4–0.


Një fitore që flet për punën e vazhdueshme, përkushtimin dhe besimin tek potenciali i vajzave në sport. Ky sukses shkon përtej rezultatit sportiv.

Ai përçon një mesazh të qartë për shoqërinë: vajzat i përkasin fushës, talenti nuk njeh gjini dhe barazia në sport ndërtohet përmes mundësive reale për garë dhe zhvillim.

Në kuadër të projektit me UEFA Foundation for Children, KFV Prishtina mbetet i vetmi ekip i vajzave në Kosovë që stërvit vajzat që nga mosha 5-vjeçare. Ky model i zhvillimit afatgjatë synon t’u ofrojë vajzave një fillim të hershëm, të sigurt dhe profesional në futboll, duke ndërtuar jo vetëm lojtare, por edhe vetëbesim, disiplinë dhe frymë ekipore.

Përfaqësuesit e klubit theksojnë se investimi në moshat e hershme është çelësi për ndryshime të qëndrueshme në sport dhe shoqëri.

“Kur vajzave u jepet hapësirë që në fëmijëri, ato nuk rriten duke pyetur nëse u lejohet, por duke ditur se i përkasin fushës,” theksohet në deklaratën e klubit. KFV Prishtina falënderon Pro Ligën për krijimin e një platforme gjithëpërfshirëse dhe shpreson që ky turne të shndërrohet në një traditë të qëndrueshme sportive, ku respekti, fair-play dhe zhvillimi i fëmijëve të jenë gjithmonë në qendër. Kjo është vetëm një ndeshje në kalendarin sportiv. Por për vajzat në futboll, është një hap i madh drejt së ardhmes.

telegrafi sport app