Sipas raportimeve të mediumit italian, ilmessaggero, e cila citon gazetën britanike The Guardian, Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner - vajza dhe dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump - kanë blerë ishullin e Sazanit në Shqipëri për një shumë që kap vlerën mbi një miliard dollarë.

Çifti duket se është magjepsur nga bukuritë natyrore dhe historia unike e ishullit, duke planifikuar ta shndërrojnë atë në një resort ekskluziv.


Ishulli i Sazanit, që dikur shërbente si bazë ushtarake dhe ndodhet në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan është hapur për vizitorët që prej vitit 2015.

Megjithatë, një pjesë e tij vazhdon të mbetet nën administrim ushtarak. Gjatë regjimit komunist, Sazani ishte një pikë strategjike ushtarake dhe mbart ende gjurmë të atij sistemi, si bunkerë, tunele dhe mbetje të tjera të infrastrukturës ushtarake, transmeton Telegrafi.

Blerja e ishullit raportohet se u finalizua përmes një marrëveshjeje prej 1.4 miliardë eurosh. Një nga sfidat më të mëdha që parashikohet në realizimin e këtij projekti është pastrimi i territorit nga minat e pashpërthyera dhe mbetjet ushtarake.

Grupi “Affinity”, që ka ndërmjetësuar marrëveshjen, ka në plan edhe projekte të tjera në rajon. Ndër to përfshihet edhe transformimi i ish-selisë së Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd, Serbi, në një hotel me pesë yje.

Megjithatë, planet për zhvillimin e ishullit në një resort luksoz kanë ngjallur shqetësime të theksuara nga ambientalistët dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore. Ata paralajmërojnë për pasojat që mund të ketë ky projekt mbi ekosistemin dhe vlerat historike të zonës. Ndërkohë, në rrjetet sociale dhe media, ishulli ka filluar të referohet si “Ishulli Trump”, një emërtim që simbolizon ndikimin që familja Trump ka në këtë iniciativë ambicioze.

Në një episod podcast-i, Donald Trump është shprehur entuziast për këtë projekt, duke e cilësuar atë si “të jashtëzakonshëm”, ndërsa theksoi rëndësinë e investimeve të mëdha në rajone të paprekura dhe me potencial të madh turistik. /Telegrafi/