Uragani Melissa ka përshkuar Karaibet, duke “u përplasur” në Kubë, ndërsa ka lënë pjesë të Xhamajkës fqinje të shkatërruara - nga erërat dhe reshjet ekstreme të shiut.

Efektet e uraganit kolosal u ndjenë në të gjithë rajonin, madje edhe në vendet që nuk ishin drejtpërdrejt në rrugën e tij.


Në Haitin aty pranë, banorët e një qyteti të vogël po mbanin zi për vdekjen e 25 personave të përfshirë nga përmbytjet, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Një ciklon tropikal më intensiv që ka goditur Xhamajkën në gati dy shekuj, Melissa është një nga uraganet më të forta të Atlantikut të vëzhguara që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave.

Shkencëtarët e klimës thonë se ngrohja globale e shkaktuar nga njeriu ka kontribuar në intensifikimin e shpejtë të stuhive të ditëve të sotme.

- YouTube www.youtube.com

Shumë xhamajkanë u zgjuan të mërkurën pa energji elektrike, me raportime për lagje të tëra të përmbytura.

Kryeministri, Andrew Holness, e ka shpallur vendin një zonë fatkeqësie, duke u dhënë autoriteteve kompetenca shtesë, të tilla si lëshimi i urdhrave të detyrueshëm të evakuimit për rajonet e përmbytura dhe parandalimi i rritjes së çmimeve.

Dëme masive u raportuan në të gjithë ishullin, shumica e tyre në pjesët më perëndimore, ku stuhia ciklonike e kategorisë 5 lëvizi diagonalisht nëpër tokë me një ritëm të ngadaltë, duke shkulur çatitë nga ndërtesat dhe duke përmbysur makina.

Ministri i qeverisjes vendore i Xhamajkës, Desmond McKenzie, tha se uragani ishte "një nga përvojat më të këqija që [Xhamajka] ka hasur ndonjëherë". /Telegrafi/