U zgjodh nga kryesia e PDK-së, reagon Petrit Hajdari: Drenasi kushton më shumë se egot e kujtdo

Petrit Hajdari është zyrtarizuar si kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Drenasit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Pas konfirmimit nga kryesia e partisë, ai ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, duke falënderuar lidershipin e PDK-së për besimin e dhënë.
Në reagimin e tij, Hajdari theksoi se është rritur dhe formuar në Drenas dhe se ky vend mbetet arsyeja e angazhimit të tij në politikë.
“Me nderim të lartë e falënderim të sinqertë për kryetarin Memli Krasniqi dhe kryesinë e PDK-së, kam pranuar konfirmimin e kandidaturës sime. Rrugëtimi im me PDK-në ka qenë i gjatë, sfidues por jashtëzakonisht krenar”, shkruan ai.
Ai ka bërë thirrje për bashkim dhe unifikim në Drenas, duke kërkuar që përballë sfidave politike të mbizotërojë uniteti.
“Drenasi është adresa jonë e përbashkët dhe e vetmja. Ka pasur, ka dhe do të ketë gra dhe burra që i përgjigjen thirrjeve për ta bërë vendin më të jetueshëm. Drenasi i është përgjigjur thirrjes për luftë, për shtetndërtim e do t’i përgjigjet edhe kësaj thirrjeje për përbashkim”, tha Hajdari.
Ai nënvizoi se fitorja e PDK-së në këtë komunë është e sigurt dhe se do të angazhohet maksimalisht për të qenë në shërbim të qytetarëve.
“Drenasin e kemi të shenjtë. Ndaj të gjithëve, pavarësisht bindjeve, shtrij dorën e bashkëpunimit: Drenasi kushton më shumë se egot e kujtdo”, përfundon reagimi i tij.



















































