LAJMI I FUNDIT:

U zgjodh kryeshef i Termokosit, Fisnik Osmani jep dorëheqje nga pozita e asamblistit në Prishtinë

U zgjodh kryeshef i Termokosit, Fisnik Osmani jep dorëheqje nga pozita e asamblistit në Prishtinë

Asamblisti i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fisnik Osmani ka ofruar dorëheqje nga kjo pozitë.

Kjo është bërë e ditur nga kryesuesi Fehmi Kupina gjatë mbledhjes së asamblesë.


Osmani para pak ditësh u zgjodh kryeshef i Termokosit.

Procesi rekrutues është mbikëqyrur nga Ambasada Britanike. Në garën e ngushtë për këtë pozitë ishin tre kandidatë.

“Pas realizimit të të gjitha procedurave rekrutuese të përcaktuara me ligjet në fuqi, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të NP Termokos në bashkëpunim me Projektin e Ambasadës Britanike për asistim/bashkëpunim për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese, ka përzgjedhur Fisnik Osmanin si kryeshef ekzekutiv të NP Termokos. Në konkursin të shpallur më 07.07.2022 në mediet vendore dhe në ueb faqen zyrtare të ndërmarrjes, kanë aplikuar gjithsej 12 kandidatë”, thuhet në njoftimin e Termokosit.

“Pas realizimit të procedurave të përzgjedhjes (vlerësimit të dokumentacionit dhe intervistimit/poentimit), bazuar në vlerësimin e realizuar veçmas dhe të pavarur si nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, ashtu edhe nga ekipi i Ambasadës Britanike, kandidati Fisnik Osmani ka arritur rezultatin më të mirë poentues nga të gjithë kandidatët”, përfundon kompania. /Telegrafi/