David De Gea i dërgoi një mesazh mbështetjeje Antonin Kinsky pasi portieri i Tottenhamit u zëvendësua vetëm 17 minuta pas debutimit të tij në Ligën e Kampionëve.

Nën presion të madh, trajneri Igor Tudor vendosi të linte jashtë formacionit portierin jo në formë Guglielmo Vicario për ndeshjen e parë të fazës së 1/8-tës në Ligën e Kampionëve, të martën mbrëma kundër Atletico Madrid, një vendim i madh duke marrë parasysh rrethanat.


Në vend të tij, ai aktivizoi portierin rezervë Antonin Kinsky, ndeshja e fundit e të cilit për Tottenham kishte qenë në tetor të vitit të kaluar, kur skuadra pësoi humbje 2-0 ndaj Newcastle United në EFL Cup.

Fatkeqësisht për portierin çek, vendimi i Tudor për t’i dhënë minuta rezultoi i pasuksesshëm pothuajse menjëherë, pasi ai bëri disa gabime në minutat e para, duke i dhënë mundësi Atletico Madridit të krijonte një epërsi prej tre golash.

Në fakt, pak pasi Julian Alvarez shënoi për rezultatin 3-0 në minutën e 15-të, Kinsky u zëvendësua nga Vicario.

Ndërsa reagimet për paraqitjen e tij të vështirë u përhapën në rrjetet sociale, ish-portieri i Manchester United dhe Atletico Madrid, David De Gea, i dërgoi 23-vjeçarit një mesazh mbështetjeje.

“Askush që nuk ka qenë portier nuk mund ta kuptojë sa e vështirë është të luash në këtë pozicion. Mbaje kokën lart dhe do të kthehesh përsëri”, shkroi ai në platformën X.

Tottenham e transferoi Kinskyn nga Slavia Praga në një marrëveshje me vlerë rreth 14 milionë euro në janar të vitit 2025./Telegrafi/

telegrafi sport app