U huazua pesë vite radhazi nga Real Madridi, braziliani thotë se nuk ishte i lumtur te gjiganti spanjoll

Reinier Jesus, mesfushori sulmues 23-vjeçar që iu bashkua Real Madridit për 30 milionë euro pesë vite e gjysmë më parë, është pranë një rikthimi të rëndësishëm në futbollin brazilian, teksa transferimi i tij te Atlético Mineiro pritet të zyrtarizohet së shpejti.
Lojtari mbërriti të mërkurën, më 6 gusht 2025, në Aeroportin Ndërkombëtar të Belo Horizonte, ku u prit ngrohtësisht nga tifozët vendas.
Reinier shprehu emocionin dhe lehtësimin për rikthimin në atdhe, pas një periudhe të vështirë dhe zhgënjyese në Evropë.
Pasi u cilësua si një nga talentet më premtuese të gjeneratës së tij, Reinier nuk arriti të lërë gjurmë në futbollin evropian. Gjatë pesë viteve me Real Madridin, ai u huazua në klube si Borussia Dortmund, Girona, Granada dhe Frosinone, por nuk gjeti asnjëherë qëndrueshmëri.
Largimi i tij nga Madridi ndodhi pa asnjë tarifë transferimi, një detaj që nënvizon sfidat dhe pritshmëritë e paplotësuara që e shoqëruan gjatë kësaj kohe.
“Po kërkoja lumturinë time. Isha i huazuar për pesë vjet dhe nuk isha i lumtur te Real Madridi", tha Reinier për mediat braziliane, duke reflektuar mbi përvojën e tij jashtë vendit.
Tifozët e Atlitico Mineiro e pritën me ovacione, duke e emocionuar thellësisht. “Kur mbërrita, i dëgjoja tashmë. Jam shumë i lumtur që jam këtu, në shtëpinë time të re. Kjo dashuri më mungonte,” tha ai, ndërsa shtoi se nëna e tij ishte përlotur nga pritja.
“Jam i lumtur që do të vesh fanellën e Galos. Do të jap gjithçka në fushë dhe jam gati të ndihmoj,” theksoi Reinier, duke përdorur nofkën e njohur të klubit të ri.
23-vjeçari nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare me Real Madridin dhe ka vetëm disa ndeshje me ekipin e dytë dhe është paraqitur në miqësore. /Telegrafi/




































