Turistë të shumtë kanë vizituar Shqipërinë këtë verë, por në rrjet qarkulluan imazhe të plazheve bosh që u përdorën nga politika.

Po a u braktis vërtet bregdeti shqiptar nga turistët e huaj?


Sot në RTSH, eksperti i turizmit Ferjolt Ozuni u shpreh: “Turistët aty janë. Fotografitë e plazheve në 90 për qind të rasteve vijnë nga zonat që ne i quajmë ekskluzive, si Jala apo Dhërmiu, plazhe më të shtrenjta të cilat nuk kanë qenë asnjëherë ‘target’ i turistëve masivë. Nëse ti nxjerr një fotografi në orën 9 të mëngjesit në një ditë të martë, shanset që të ketë njerëz janë të ulëta. Janë disa kleçka që ne të fushës i dimë dhe kur i shohim na bëjnë për të qeshur. Ata që nuk e njohin industrinë e kanë të vështirë të kuptojnë diferencën mes abuzimit me informacionin dhe atij të vërtetë.”

I pyetur nëse kjo ‘antireklamë’ është në interes të politikës apo konkurrencës, Ozuni tha: “Unë e hedh poshtë që biznesi, qeveria apo interesa nga vendet fqinje kanë gisht në këtë çështje. Ne jemi të këqijtë e vetes. Neve na pëlqen që të keqpërdorim imazhet e vendit tonë për interesa personale. Lëreni këtë ekonomi që po mundohet të ngrihet me këmbët e veta dhe këtë industri që po mundohet të funksionojë, të ecë përpara vetë”.

Megjithatë, eksperti analizoi pse ky vit ka qenë i kënaqshëm, edhe pse ka disa problematika ku duhet ndërhyrje urgjente.

“Ne po bëjmë të njëjtat gabime që ka bërë Greqia apo Italia 30–35 vjet përpara. Vazhdojmë të kemi probleme me krahun e punës, me burimet njerëzore. Ajo çka duhet të bëjmë është investimi masiv në burime njerëzore. Duhen mbajtur aktive shkollat profesionale, sepse duhen edhe punonjës operativë, jo vetëm drejtorë, menaxherë dhe pronarë”, theksoi Ozuni.

Ai tregoi rastin e ndodhur vetëm pak ditë më parë në një biznes në bregdetin shqiptar.

“Ishte ora 8 e 30. Kisha një delegacion të rëndësishëm. Ulemi dhe kamerieri nuk kishte larë sytë akoma. Vjen dhe thotë: ‘Sa të pi kafen unë, vendosni dhe ju se çfarë doni të merrni’. Pra, prit të pi kafen unë, ju mendoni ndërkohë dhe pastaj e zgjidhim këtë punë. Ndaj them, ajo çfarë ka rëndësi janë burimet njerëzore. Nëse duhet të bëjmë diçka, duhet nisur nga aty”, u shpreh Ozuni.