U akuzuan se kanë bërë martesë false për të fshehur orientimin e tyre seksual, Princesha norvegjeze dhe partneri i saj u përgjigjen thashethemeve

Princësha e Norvegjisë, Märtha Louise, dhe bashkëshorti i saj, shamani i vetëshpallur Durek Verrett, kanë vendosur t’u japin fund spekulimeve që kanë qarkulluar rreth martesës së tyre. Çifti, i cili u martua në gusht të vitit 2024 dhe historia e tyre e dashurisë është trajtuar në dokumentarin e Netflix-it “Rebel Royal Couple: An Incredible Love Story”, është përgjigjur ndaj pretendimeve se ndodhen në një të ashtuquajtur “martesë lavande”.
Termi “martesë lavande” përdoret për të përshkruar një bashkim martesor që lidhet me qëllimin për të fshehur orientimin e vërtetë seksual të njërit apo të të dy partnerëve.
Në një video të publikuar të hënën në Instagram, çifti shfaqet fillimisht me shprehje të habitura në fytyrë, duke pyetur: “Çfarë është një martesë lavande?”, ndërsa në skenën pasuese shfaqen të veshur me ngjyra të lavandës, teksa në ekran kalojnë komente negative nga ndjekësit.
“Amvisa e vërtetë norvegjeze dhe martesa e saj lavande”, shkruhej në një prej komenteve, ndërsa një tjetër thoshte: “Vajzë, nuk e di nëse e di, por ti je në një martesë lavande”. Videoja mbyllet me çiftin që tund kokën në shenjë mohimi ndaj akuzave, ndërsa Durek e ngre bashkëshorten e tij në një lëvizje vallëzimi dhe e shikon me dashuri, nën mbishkrimin: “Zakonisht nuk merremi me këto. Ne thjesht duam”.
Për ta theksuar më tej mesazhin e tij, Durek shkroi në përshkrimin e videos: “Menduat se ishte lavandë? Befasi. Është vetëm dashuri dhe trashëgimi”.
Durek, i cili është deklaruar si biseksual, ka qenë më parë i martuar me Zanet Marzalkovën nga viti 2005 deri në 2009, si dhe i fejuar me Hank Greenberg nga viti 2007 deri në 2015.
Në dokumentarin e Netflix-it ai ka zbuluar edhe një detaj interesant: vajzat e princeshës Märtha Louise — Maud (22), Leah (20) dhe Emma (17) — të lindura nga martesa e saj me të ndjerin Ari Behn, fillimisht i janë prezantuar atij si “miku i saj më i mirë gay”.
- YouTube youtu.be
“Jam i lumtur që ua kishte thënë kështu në fillim, sepse ato janë vajza me personalitet shumë të fortë, dhe të jem i sinqertë, më kanë vënë në provë mjaft,” ka rrëfyer ai. “Fakti që u bëra ‘miku i tyre gay më i mirë’ dhe që u pranova kështu në fillim, ndihmoi shumë kur ato kuptuan se në fakt ishim të dashuruar”.
Megjithë dyshimet e publikut mbi autenticitetin e lidhjes së tyre, e cila nisi në vitin 2018, Märtha Louise nuk e fsheh dashurinë për partnerin e saj. “Të jesh e martuar është një ndjenjë e jashtëzakonshme, sidomos kur je e martuar me dashurinë e jetës tënde,” ka thënë ajo së fundmi në një intervistë të përbashkët. “Është e pabesueshme të jesh e martuar me një njeri që të do siç më do ai”. /Telegrafi/



























































