Trumpi nuk vjen për ta varrosur NATO-n, por për ta shpëtuar atë

Nga: Nile Gardiner / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Këtë javë, NATO do të shënojë 76-vjetorin e saj në samitin që do të mbahet në Hagë. Të gjithë sytë do të drejtohen kah Donald Trumpi dhe qasja e tij “Së pari Amerika” në arenën ndërkombëtare, e cila tashmë ka përfshirë përdorimin e forcës vendimtare ushtarake kundër objekteve bërthamore të Iranit. Presidenti amerikan ka qenë një kritik i ashpër i NATO-s, por gjithashtu ka qenë përgjegjës për një ringjallje dramatike të Aleancës.
Trumpi e ka bërë të qartë se mbijetesa e NATO-s varet nga angazhimi i plotë i anëtarëve të tjerë, për të marrë përsipër barrën e përbashkët me Shtetet e Bashkuara. Rusët e kanë parë qartësisht NATO-n si të dobët dhe të përçarë dhe po tregohen gjithnjë e më të gatshëm ta sfidojnë vendosmërinë e saj. Presidenca amerikane duhet të ushtrojë presion të vazhdueshëm mbi aleatët e Amerikës, që të bëjnë shumë më tepër për të nxitur partneritetin dhe jo varësinë, sidomos tani që Shtetet e Bashkuara duhet të përqendrohen gjithnjë e më shumë te kërcënimi i madh që Kina komuniste paraqet në Indo-Paqësor.

Në vitin 2024, vetëm 22 anëtarë të NATO-s shpenzuan dy për qind të PBB-së për mbrojtje - sipas marrëveshjes së arritur nga Aleanca në vitin 2014. Kjo është e papranueshme. Kjo e lë Aleancën në mënyrë të rrezikshme të pambrojtur, kur duhet të tregojë forcë dhe vendosmëri. Shtetet që shpenzuan më pak se dy për qind të PBB-së reale për mbrojtje, vitin e kaluar, përfshijnë Italinë (1.5 për qind), Kanadanë (1.4 për qind), Spanjën (1.3 për qind) dhe Belgjikën (1.3 për qind). Ndërkohë, Polonia (4.1 për qind), Estonia (3.4 për qind), Letonia (3.2 për qind) dhe Greqia (3.1 për qind) shpenzuan mbi tre për qind të PBB-së.
Qeveria e Kanadasë, e drejtuar më parë nga Justin Trudeau, ishte ndër më të papërgjegjshmet në NATO, duke nënfinancuar vazhdimisht ushtrinë kanadeze me shifra të turpshme për një vend me ekonominë e 10-të më të madhe në botë. Pasardhësi i tij si kryeministër, Mark Carney, është zotuar të rrisë në dy për qind shpenzimet për mbrojtje të Kanadasë, por kjo thjesht nuk mjafton. Otava duhet të tregojë seriozitet për misionin e NATO-s dhe të marrë një rol të plotë në Aleancë në dekadat që vijnë.
Siç ka treguar hulumtimi i kryer nga Heritage Foundation, “anëtarët evropianë të NATO-s kolektivisht kanë nënfinancuar mbrojtjen e tyre me 827.91 miliardë dollarë, që nga viti 2014 - pothuajse sa i gjithë buxheti vjetor i mbrojtjes së ShBA-së.” Kjo është një shifër tronditëse - një dënim i qartë për kulturën e vetëkënaqësisë dhe varësisë te shumë aleatë të NATO-s gjatë dekadës së fundit.
Jo vetëm që çdo anëtar i NATO-s duhet të investojë menjëherë nivelin minimal të pajtuar për shpenzimet për mbrojtje, por gjithashtu duhet të angazhohen të arrijnë nivelin aktual të ShBA-së prej 3.5 për qind të PBB-së, dhe të premtojnë se do të arrijnë në pesë për qind të PBB-së që - sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte - pritet të jetë standardi i ri që do të vendoset në samitin e ardhshëm të NATO-s.
Ka një ndikim të madh presioni i presidentit Trump mbi partnerët e NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtje. Pas dekadave të nëninvestimit të papërgjegjshëm, Gjermania, ekonomia e katërt më e madhe në botë dhe më e madhja në Evropë, ka njoftuar planet për një rritje dramatike të shpenzimeve për mbrojtje, dhe ka pranuar në parim se shpenzimet gjermane duhet të rriten përfundimisht në pesë për qind të PBB-së - nëse dëshiron të mbrojë seriozisht kufijtë e saj nga një sulm i mundshëm i Rusisë.
Franca, e cila në vitet e fundit ka arritur me vështirësi minimumin e dakordësuar prej dy për qind të PBB-së për mbrojtjen, ka njoftuar - përpara samitit të Hagës - se do të shtyjë nivelin e shpenzimeve evropiane për mbrojtje në 3-3.5 për qind të PBB-së. Edhe Belgjika, një nga anëtarët më të plogësht të NATO-s, ka deklaruar se do të rrisë shpenzimet për mbrojtje në 3.5 për qind të PBB-së.
Mbretëria e Bashkuar sapo ka njoftuar një investim prej 20 miliardë dollarësh në programin e saj të kokave bërthamore dhe ndërtimin e 12 nëndetëseve sulmuese me energji bërthamore, si pjesë e Rishikimit të saj të ri Strategjik të Mbrojtjes, i publikuar këtë muaj.
Shtetet baltike dhe Polonia po mbështeten tashmë mbi arritjet e tyre të qëndrueshme, duke premtuar rritje të ndjeshme të mëtejshme në vitet që vijnë. Polonia do të shpenzojë 4.7 për qind të PBB-së për mbrojtje këtë vit, ndërsa Estonia është zotuar të shpenzojë 5.4 për qind deri në vitin 2029. Lituania do të shpenzojë 5-6 për qind për mbrojtje nga viti 2026 deri në 2030, dhe Letonia do të arrijë në pesë për qind deri në vitin 2026.
Zhvillimet pozitive në Evropë duhet të përshëndeten ngrohtësisht në Uashington. Vetëm në muajt e parë të presidencës së tij, Donald Trump ka forcuar ndjeshëm NATO-n. Presidenti Trump nuk është shkatërruesi i Aleancës, siç kanë pretenduar kritikët e tij, por në të vërtetë është shpëtimtari i saj.
Presidentët e mëparshëm amerikanë u kanë bërë thirrje aleatëve evropianë të bënin më shumë, por lutjet e tyre ranë në vesh të shurdhër. U desh gjuha e drejtpërdrejtë dhe pa dorashka e Donald Trumpit që udhëheqësit evropianë të zgjoheshin dhe të kenë vëmendje.
Në shumë mënyra, presidenca e Trumpit ka qenë e kundërta e presidencës së dobët të Bidenit. Debakli poshtërues i tërheqjes së papërgjegjshme nga Afganistani nuk do të kishte ndodhur nën drejtimin e Donald Trumpit, dhe as pushtimi i pamatur i Ukrainës nga Rusia.
Me udhëheqjen e guximshme amerikane në krye, NATO ka ende vizionin, kapacitetin dhe energjinë për të lulëzuar dhe për të përparuar edhe për 76 vitet e ardhshme.
Amerika është forca më e fuqishme për lirinë në botë sot. Ajo forcohet ndjeshëm nga aleancat e Amerikës me partnerë kyç, dhe NATO-ja është në zemër të partneritetit transatlantik. /Telegrafi/



















































