Trump uron RMV-në për 34-vjetorin e pavarësisë, Siljanovska-Davkova: Mesazhe plot mbështetje dhe dëshmi e një partneriteti të fortë strategjik

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka uruar presidenten e Maqedonisë së Veriut për pavarësinë e shtetit të Maqedonisë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidentja Gordana Siljanovska Davkova e cila ka shprehur mirënjohje për urimet, të cilat i vlerëson jo vetëm si një konfirmim të miqësisë dhe partneritetit të fortë strategjik të SHBA-së dhe Maqedonisë, por edhe si një arsye për përparimin e tyre.
“Mirënjohje e sinqertë për presidentin e SHBA-së dhe popullin amerikan për urimet me rastin e 34-vjetorit të 8 shtatorit”, thuhet në njoftim.
“Mesazhet e njohjes, mirëkuptimit dhe mbështetjes, të përfshira në mesazhin e urimit, të cilin më dorëzoi ambasadorja Anxhela Ageler, për ne nuk janë vetëm një konfirmim i miqësisë dhe partneritetit të fortë strategjik të SHBA-së dhe Maqedonisë, aq të nevojshëm në një kohë përpjekjesh për t’i dhënë fund konflikteve ushtarake, për t’u përballur me krimin ndërkombëtar dhe për të garantuar paqe dhe siguri të qëndrueshme, por edhe një arsye për përparimin e tyre!, thuhet në postimin e Davkovës.


































