Trump: SHBA duhet ta marrë Grenlandën, nëse BE dhe Danimarka nuk e kuptojnë këtë do t'ua shpjegojmë

Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve sot në Shtëpinë e Bardhë se SHBA "duhet të ketë Grenlandën" për sigurinë globale.
"Ne kemi nevojë për Grenlandën”, tha presidenti.
"Gjë që është shumë e rëndësishme - për sigurinë ndërkombëtare, ne duhet të kemi Grenlandën. Nuk është çështja nëse mund të bëjmë pa të. Ne nuk mundemi."
Bëhet e ditur se Trump pretendoi se kontrolli amerikan i Grenlandës është një çështje paqeje "për të gjithë botën", jo vetëm për SHBA-në, shkruan CNN.
"Shikoni, ju keni anije luftarake në të gjithë vendin që kalojnë pikërisht nga Grenlanda. Ne nuk do ta lejojmë këtë", shtoi Trump.
Vance nuk përjashton mundësinë e marrjes me forcë të Grenlandës: Amerika duhet të udhëheqë në Arktik

Trump tha se besonte se Danimarka dhe Bashkimi Evropian e kuptonin pozicionin e tij për rëndësinë e territorit, por shtoi një paralajmërim: "Dhe nëse ata nuk e kuptojnë, ne do të duhet t'ua shpjegojmë atë."
Raportohet se zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance dhe gruaja e tij po vizitojnë sot territorin gjysmë autonom danez, duke e bërë Vance zëvendëspresidentin e parë amerikan që viziton Grenlandën.
“Ata do të jenë përfaqësues të mirë të vendit tonë”, tha Trump.
Ndryshe, politikanët e Grenlandës e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se kundërshtojnë aneksimin dhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen i bëri thirrje Trumpit që të respektojë "rregullat themelore të sovranitetit".
Një sondazh i kryer nga një gazetë e përditshme në janar tregoi se 85% e popullsisë së Grenlandës nuk duan të bëhen pjesë e SHBA-së dhe pothuajse gjysma e të anketuarve thanë se interesi i Trumpit përbënte një kërcënim. /Telegrafi/





















































