Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e ftesës së Volodymyr Zelensky në një takim midis Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaska, sipas raportimeve në SHBA.

Raportimet vijnë një ditë pasi Uashingtoni dhe Moska konfirmuan se presidentët e SHBA-së dhe Rusisë do të takohen të premten, për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë, transmeton Telegrafi.


Një zyrtar i lartë amerikan dhe tre persona të informuar mbi diskutimet e brendshme i kanë thënë NBC News, se administrata Trump tani po shqyrton mundësinë e ftesës së presidentit ukrainas në samit.

"Po diskutohet", citohet të ketë thënë një nga personat e informuar mbi bisedimet.

Burimet thanë se një vizitë e zotit Zelensky nuk është finalizuar - dhe nuk është e qartë nëse udhëheqësi ukrainas do të jetë në Alaska.

Megjithatë, zyrtari i lartë i administratës tha se është "absolutisht" e mundur.

"Të gjithë shpresojnë shumë që kjo do të ndodhë", tha zyrtari.

I pyetur nëse SHBA-të e kishin ftuar zyrtarisht Zelensky, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha: "Presidenti mbetet i hapur për një samit trepalësh me të dy udhëheqësit. Aktualisht, Shtëpia e Bardhë po përqendrohet në planifikimin e takimit dypalësh të kërkuar nga Presidenti Putin".

Të premten - përpara se samiti të konfirmohej - Trump u kishte thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se "po i afrohemi shumë një marrëveshjeje" që do t'i jepte fund konfliktit.

Presidenti amerikan shtoi se do të ketë "disa shkëmbime territoresh në dobi të të dyja palëve". /Telegrafi/