Trump: Nuk e di arsyen se pse Epstein lidhej me vajza të reja

Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një deklaratë të rëndësishme lidhur me lidhjet e mëparshme me miliarderin, Jeffrey Epstein, i cili është akuzuar për trafikim seksual të vajzave të mitura dhe skandale të tjera të rënda.
Në një konferencë të fundit për shtyp, ai tha se nuk kishte dijeni për motivet e Epstein dhe për arsyet pse ai ishte i përfshirë me vajza të reja.
“Nuk e kuptoja dot pse Epstein po merrte vajza të reja,” u shpreh 79-vjeçari, duke shtuar se nuk kishte asnjë informacion që të lidhej me aktivitetet e dyshimta të Epstein dhe se kjo sjellje i dukej krejtësisht e paqartë dhe e papranueshme.
Jeffrey Epstein, emër i njohur në qarqet e larta politike dhe financiare, është përballur me akuza serioze për trafikim seksual dhe shfrytëzim të vajzave të mitura. Ai u arrestua në vitin 2019 dhe vdiq në burg në rrethana të diskutueshme, duke nxitur teori dhe spekulime të shumta.
Deklarata e Trump vjen në një kohë kur hetimet për rrjetin e Epsteinit dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë të jenë në fokus të mediave dhe organeve të drejtësisë në mbarë botën. Disa nga figurat më të fuqishme politike dhe biznesi janë përmendur në këto hetime, duke krijuar një skandal ndërkombëtar me pasojë dramatike për imazhin e tyre publik.
Trump ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të lidhjeve të kaluara me Epstein, por sipas tij, ai nuk ka pasur asnjë dijeni për veprimet kriminale të miliarderit. Ai ka mohuar çdo përfshirje personale në aktivitetet e dyshimta të Epstein.
Publiku dhe mediat vazhdojnë të ndjekin me kujdes zhvillimet e mëtejshme, duke kërkuar transparencë dhe drejtësi për viktimat e këtij skandali që ka tronditur botën. /Telegrafi/

















































